Zhytësit në Indonezi gjejnë rrënojat e aeroplanit të rrëzuar

Prishtinë | 10 Jan 2021 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Zhytësit indonezianë të dielën kanë zbuluar pjesë të rrënojave të aeroplanit Boeing 737-500, në një thellësi prej 23 metrave në detin Java, një ditë pasi aeroplani me 62 pasagjerë ishte rrëzuar pak kohë pasi ishte nisur nga Jakarta.

“Ne kemi marrë raportime nga një ekip i zhytësve se pamja në ujë është e mirë dhe e qartë, që e bën të mundur zbulimin e disa pjesëve të aeroplanit. Ne jemi të sigurt se ky është vendi ku është rrëzuar aeroplan”, ka thënë Hadi Tjahjanto, komandant i forcave ajrore në Indonezi.

Ai ka thënë se janë gjetur disa pjesë, përfshirë edhe një copë e regjistrimit të aeroplanit.

Më herët, forcat e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë pjesë të trupave, po ashtu veshje dhe copa metali.

“Shpresojmë të jetë pamja e mirë deri pasdite dhe të mund të vazhdojmë me kërkimin”, ka thënë Tjahjanto.

Është ende e paqartë se çfarë ka shkaktuar rrëzimin e aeroplanit. Nuk ka shenja për të mbijetuar.

“Unë u shprehi gjithë indonezianëve ngushëllimet e sinqerta për këtë trategji. Do të bëjmë më të mirën për të shpëtuar viktimat. Lutemi që viktimat të mund të gjenden”, ka thënë presidenti i Indonezisë, Joko Widodo.

Peshkatarët në zonën mes ishujve Lancang dhe Laki, skanë raportuar se kanë dëgjuar një shpërthim rreth orës 14:30 të shtunën.

“Ne kemi dëgjuar diçka të shpërthejë, kemi menduar se është bombë apo cunami. Pas kësaj pamë një përplasje të madhe në ujë. Po binte shumë shi dhe moti ishte shumë i keq. Kështu që ishte e vështirë të shihej mirë. Por, e pamë një valë të madhe pas atij shpërthimi. Ishim shumë të shokuar dhe pas kësaj pamë rrënoja të aeroplanit dhe po ashtu naftë rreth varkave tona”, ka thënë Solihin, një nga peshkatarët.

Ministri i Transportit, Budi Karya Sumadi, ka thënë se aeroplani SJ182 ishte vonuar rreth një orë, para se të nisej në ora 14:36. U zhduk nga radari katër minuta më vonë.

Ishin 62 pasagjerë në aeroplanë, përfshirë shtatë fëmijë e tri foshnja të vogla.

Të ngjashme