Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka insistuar se Karim Benzema e meriton plotësisht të kthehet në Përfaqësuesen e Francës, pasi sulmuesi ka kohë që nuk po ftohet nga seleksionuesi Didier Deschamps. Reagimi i Zidanet ka ardhur të premten, një ditë pas publikimit të listës së Deschampsit për ndeshjet e këtij muaji në kuadër të “Euro 2020”, në të cilën nuk është përfshirë sërish Benzema.
Benzema nuk ka luajtur për Francën prej vitit 2015, kohë kur ishte në hetime formale për shkak të pjesëmarrjes së tij në tentimin për ta shantazhuar bashkëlojtarin te Franca, sulmuesin tjetër, Mathieu Valbuena, shkruan sot Koha Ditore.
Seleksionuesi Deschamps ka vlerësuar se largimi i Benzemas nga ekipi është zgjidhja më e mirë për Francën, që vitin e shkuar e fitoi titullin e botës. Megjithatë, Franca nuk ka qendërsulmues elitar prejse është larguar Benzema, dhe Deschamps është i vendosur të mos e kthejë në ekip, megjithëse ai po vazhdon të shkëlqejë te skuadra spanjolle. Benzema këtë edicion ka shënuar nëntë gola në 14 paraqitje në të gjitha garat.