Një operacion i madh i shpëtimit është duke u zhvilluar në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara pias disa persona janë bllokuar nga një zjarr i madh që është përhapur në natyrë.
Dhjetëra njerëz janë larguar nga vendi i zjarrit përmes helikopterëve deri më tash. Zjarri ka shpërthyer në një lokacion rreth 60 kilometra në verilindje të Fresnos, shkruan BBC.
Flakët kanë filluar në mbrëmjen e së premtes dhe zjarri po përhapet shpejt. Deri më tani janë djegur më shumë se dy mijë hektarë, raportojnë mediet lokale.
Sipas një deklarate të zjarrfikësve në Fresno, 63 persona janë shpëtuar përmes helikopterit ushtarak dhe janë dërguar në një aeroport që ndodhet afër malit ku po përhapet zjarri.
Autoritetet njoftuan se helikopteri ka shkuar përsëri në lokacionin e zjarrit për t’i marrë njerëzit e mbetur, por nuk dihet numri i saktë i tyre.
Ky zjarr u përhap në kohën kur disa rajone të Kalifornisë janë duke u përballur me një valë rekorde të temperaturave të larta.
Guvernatori Gavin Newsom të premten e shpalli gjendjen emergjente pas paralajmërimit për ndërprerje të rrymës shkaku i kërkesës së madhe.
Gjatë fundjavës, Kalifornia pritet të përballet me temperatura që mund të arrijnë deri në 49 gradë. Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se vapa do të jetë më e pranishme sidomos në pjesën jugore të këtij shteti të ShBA-së.