Zjarr në një spital në Indi, tetë të vdekur

Prishtinë | 06 Gus 2020 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Së paku tetë pacientë me koronavirus kanë vdekur për shkak të zjarrit që u ndez në njësinë e përkujdesjes intensive në një spital në qytetin perëndimor të Indisë, Ahmedabad të enjten, kanë thënë zyrtarët.

Zjarrfikësve iu deshën gjysmë ore për të fikur zjarrin në spitalin Shrey. 35 pacientë tjerë u bartën në spitale tjera. Zjarri u ndez rreth orës 3 të natës, shkruan Al Jazeera.

Policia ndaloi familjet e mllefosura që dëshironin të hynin në spital pas tragjedisë, që sipas shërbimeve emergjente ishte shkaktuar nga ndezja e pajisjes mbrojtëse të një punonjësi mjekësor.

“Një punonjës, teshat mbrojtëse të se cilit u kapën nga zjarri, vrapoi jashtë njësisë për ta fikur, por flaka u përhap shumë shpejtë nëpër tërë repartin”, tha Rajesh Bhatt, kreu i zyrës së zjarrfikësve për Ahmedabad.

Ky rajon është më i prekuri nga pandemia e koronavirusit, më shumë se 65,000 raste deri tani.

Me 1.9 milionë raste të regjistruara, India është shteti i tretë më i prekuri në botë nga Covid-19. Afro 40,000 persona kanë vdekur për shkak kësaj sëmundjeje, transmeton KOHA.

Zjarret shpesh kaplojnë ndërtesat në Indi për shkak të standardeve të ulëta të sigurisë dhe mungesës së detektorëve të tymit dhe alarmeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme