ZKA-ja publikon raportet e auditimit për gjashtë Ministri

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi gjashtë raportet e para të auditimit për Ministritë,
si: Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT); Ministrinë e Bujqësisë,
Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR); Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
(MPJD); Ministrinë e Ekonomisë (ME); Ministrinë e Mbrojtjes (MM) si dhe për Ministrinë e
Shëndetësisë (MSH).

Bazuar në rezultatet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për MINT, MBZHR dhe
MSH. Arsyeja e modifikimit, përkatësisht kualifikimit të opinionit për këto Ministri është për
shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2023 nuk kanë prezantuar pamje të drejtë dhe të
vërtetë. Kurse MPJD, ME dhe MM opinionin e auditimit e kanë të pamodifikuar për shkak se
ZKA ka marrë siguri të arsyeshme se Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2023 prezantojnë
pamje të drejtë dhe të vërtetë.

ZKA, gjithashtu për këto Ministri ka prezantuar edhe konkluzionin në lidhje me pajtueshmërinë
duke vlerësuar nëse transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit kanë qenë, në të
gjitha aspektet materiale, në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga
legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve
financiare.

Nga auditimet e kryera ka rezultuar që MBZHR dhe ME të kenë konkluzion të kualifikuar për
shkak se disa nga transaksionet e kryera nuk kanë qenë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara
të auditimit. Përderisa MINT, MPJD, MSH dhe MM konkluzionin e pajtueshmërisë e kanë të
pamodifikuar për shkak se ZKA ka marrë siguri të arsyeshme se transaksionet e kryera kanë
qenë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit.

Përkundër gjetjeve të shpalosura në raporte të auditimit, këto ministri kanë shënuar progres sa i
përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve. Gjithashtu, kemi rënie tek numri i rekomandimeve
të dhëna, për 17 rekomandime më pak. Për vitin 2022 ishin dhënë 49 rekomandime, ndërsa për
vitin 2023 janë dhënë 32.

Të ngjashme