Analisti politik, Petrit Zogaj, e ka krahasuar kryeministrin kosovar – që është edhe akademik – me një nxënës të dobët, njofton Klan Kosova.
Këtë krahasim Zogaj e bëri kur foli për udhëtimin e Isa Mustafës në Bruksel, nga ku kryeministri ka thënë se do të kërkojë të hiqet kushti i Demarkacionit për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Kërkesa e Mustafës më asocion në një nxënës të dobët që shkon tek mësuesi për të kërkuar një notë kaluese”, pohoi Zogaj në Info Magazine të Klan Kosovës.
Zogaj ka folur edhe atë se a është qeveria në krizë politike dhe se a duhet të shkohet tani në zgjedhje.
“Koalicioni është në krizë, ai ka filluar si i tillë. Ka ardhur madje për shkak të një krize. Ka pasur edhe mospajtime për ta votuar Mustafën kryeministër dhe këtë qeveri. Aparati shtetëror megjithatë ka funksionuar, por krizë ka pasur. Tani është vetëm duke u shpërfaqur kriza”.
Sipas Zogajt, Mustafa nuk do të duhej të priste mocionin e mosbesimit të iniciuar nga Nisma për Kosovën, por, po të ishte i fuqishëm si lider e kryeministër, do të duhej vet ta kërkonte mocionin e besimit.