Arrestimi i politikanit serb nga veriu i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, nga Policia e Kosovës, vetëm pse ky fishkëlleu kundër kryeministrit Albin Kurti për analistin politik, Petrit Zogaj, është një “thirrje e hapur” nga Qeveria e Kosovës që serbët “të ngritën në një mosbindje civile”.
“Më shumë gjasë ky është qëllimi i kryeministrit Kurti”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Ndër të tjera Zogaj këtë arrestim të politikanit serb e ka cilësuar si “aksion të turpshëm të Policisë së Kosovës”.
Arsenijeviq, i njohur si kundërshtari i hapur i Listës Serbe, është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës në qendër të qytetit të Mitrovicës së Veriut.
Siç raporton “Kossev”, arrestimi i Arsenijeviqit ka të bëjë me vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Veri të Kosovës, ku ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit.
Lajmin për arrestimin e politikanit serb nga Veriu e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Gjatë arrestimit të Arsenijevqit, Kurti ka qenë në një restorant që është hapur së fundmi në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut.