Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk ka treguar asnjë hap konkret për krijimin e Qeverisë së re, duke rritur mundësinë që vendi të përballet me zgjedhje të parakohshme.
Ai thekson se komunikimi mes partive mbetet i bllokuar dhe nuk shihet asnjë shenjë për arritjen e marrëveshjeve politike në ditët e fundit para përfundimit të afatit për formimin e qeverisë.
“Është e vërtetë që po hyjmë në fazën finale kritike të krijimit të qeverisë dhe deri më tani ne nuk kemi parë ndonjë hap serioz nga VV-ja për të krijuar institucionet dhe për të pasur marrëveshje politike për krijimin e qeverisë së re. Ne po shkojmë nga e diela që është dita e fundit me pasiguri të mëdha rreth krijimit të qeverisë së re, nuk ka asnjë marrëveshje politike deri më tani, aq sa jemi informuar ne dhe nuk po shihet në horizont që do të ketë ndonjë marrëveshje politike në këto dy ditë e ardhshme”, tha Zogaj.
Ai shtoi se LDK nuk do të ketë asnjë komunikim me VV-në.
“Me LDK, me ne nuk ka asnjë komunikim, ne e kemi refuzuar çdo komunikim me VV-në, andaj edhe nuk do të ketë as biseda e as marrëveshje politike në këto ditë që po vijnë, këtë e kemi bërë shumë të qartë”, tha ai.
Ai ka kritikuar gjithashtu aftësinë e Vetëvendosjes për të krijuar qeverinë dhe angazhimin e kryeministrit aktual në detyrë, Albin Kurti.
“Në fakt është pa aftësi e tyre totale për të krijuar qeverinë, e pra dhe e dyta një pa përgjegjësi e plotë për arsye se deri tash nuk është parë asnjë tentim serioz për të krijuar qeveri. Përderisa kryeministri në detyrë e deputeti Albin Kurti ka dashur me komuniku me partitë politike ai ka gjetur kohë më lëvizë jashtë vendit e me pasë vizita jashtë vendit, kjo e tregon më së miri qasjen e tij ndaj krejt kësaj situate. Dhe pritet që të dielën të kemi një situatë ku nuk ka shumicë politike për ta krijuar qeverinë e re të Kosovës. Në fakt do të ishte befasi nesër nëse shohim një shumicë të vogël ditën e dielë sepse nuk kemi asnjë sinjal deri tash”, tha ai.
I pyetur nëse LDK-ja do të ndërmarrë hapa për formimin e qeverisë nëse VV-ja dështon, Zogaj theksoj humbjen e kohës në formimin e institucioneve, duke paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve të reja.
“Thënë të drejtën mundësitë janë shumë të vogla për tu krijuar ndonjë qeveri edhe nga partitë tjera politike në Kuvendin e Kosovës. Ne e humbëm një vit të plotë kemi rreth 8 muaj që institucionet nuk po themelohen, andaj qëndrimi ynë është që pas dështimit të të parti për të krijuar qeverinë duhet të shkojmë në zgjedhje të reja qendrore”, tha ai.

