Rreth bashkëpunimi ndërfetar në Kosovë: Bashkësitë fetare në vendin tonë, për të pasur një bashkëpunim pozitiv, për të kultivuar një të mirë të përbashkët të qytetarëve, duhet të mos lejojnë që të bëhen vegël e asnjë organizate të jashtme fetare, por të jenë vetvetja, sepse të mirën e dheut, vendit dhe ambientit në të cilin frymojnë nuk mund t`a dojë askush më shumë se sa vet ato.
I.
Në Kosovë nuk ekziston pengesë e madhe e komunikimit ndërfetar. Më tepër ekziston hezitimi për shkaqe politike, sesa dëshira për takime dhe bashkëpunime më të ngjeshura.
Tensionet në Kosovë asnjëherë nuk kanë pasur bazë religjionin, edhe pse ka pasur tendenca që feja të shihet si shkaktare e luftës dhe shkatërrimit të tjetrit.
Zoti nuk është problemi i Kosovës, siç nuk është edhe i askujt tjetër. Jeta në Tokë dhe rregullimi i saj është në mendjen dhe dorën e njeriut. Ai, jo vetën tek ne, por kudo bëhet problem për një rreth apo shoqëri, vetëm atëherë kur besimi në të shndërrohet në lëvizje politike, luftuese dhe ekspansioniste ndaj të tjerëve.
Qytetarët e Kosovës, sot për sot, problem kryesor e shohin mirëqenien e tyre ekonomike, sigurinë dhe lëvizjen e lirë të tyre brenda territorit shtetëror të cilit i takojnë – dhe jashtë vendit.
Ende jemi të vetmit në Ballkan që kemi mbetur pa liberalizim të vizave.
Bashkëpunimin e mirëfilltë ndërfetar mes komuniteteve, e lëndon, e pengon dhe pamundëson jo stabiliteti politik i një vendi.
II.
Shoqëria jonë duhet të kultivojë ambient të respektit dhe të harmonisë fetare ndaj të gjitha komuniteteve fetare pa dallim. Kjo frymë e respektimit të besimit shpirtëror të tjetrit, duhet të mësohet duke filluar që nga familja, shkolla, si dhe nga gjitha institucionet tona edukativo-arsimore. Shteti duhet të punojë që të rregullojë sa më parë pozitën zyrtare të të gjitha komuniteteve fetare, duke iu dhënë atyre status të qartë juridik dhe të merituar të veprimit në vend. Në këtë drejtim jemi tepër të vonuar!
Bashkësitë fetare janë pjesë e qytetarëve, dhe qytetarët janë pjesë e tyre. Prandaj, nëse i anashkalojmë ato duke i injoruar dhe duke nënvlerësuar rolin e tyre, ne vetëm se do ta dëmtojmë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
III.
Bashkëpunimi ndërfetar, i përfaqësuar nga liderët fetarë, s’ka dyshim se ndikon pozitivisht në zbutjen e tensioneve politike në vend. Gjithashtu, ul urrejtjen ndërnacionale e cila është lënduar dhe dëmtuar ndjeshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, rrit durueshmërinë dhe respektin për çdo qytetar – pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare dhe nacionale – si dhe ndihmon në krijimin e ambientit të qetë dhe stabil të shoqërisë në përgjithësi.
Bashkësitë fetare në vendin tonë, për të pasur një bashkëpunim pozitiv, për të kultivuar një të mirë të përbashkët të qytetarëve, duhet të mos lejojnë që të bëhen vegël e asnjë organizate të jashtme fetare, por të jenë vetvetja, sepse të mirën e dheut, vendit dhe ambientit në të cilin frymojnë nuk mund t`a dojë askush më shumë se sa vet ato.