ZPS-ja e konsideron të nevojshme mbajtjen e Mustafës, “rreziqet mbesin të larta”

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Prokurorit të Specializuar në parashtresën e saj drejtuar trupit gjykues, të kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka thënë se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit, Salih Mustafa mbetet i nevojshëm dhe proporcional.

Sipas tyre, dyshimet e bazuara dhe rreziqet e renditura në nenin 41(6)(b) vazhdojnë të ekzistojnë dhe ka thënë se ai ende mund të pengojë ecurinë e procedurës.

“Rreziqet e arratisjes dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme janë ende të pranishme dhe mbeten të larta. Në të njëjtën kohë, asnjë rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që nga shqyrtimi i dymbëdhjetë i paraburgimit që do të kërkonte rishikimin e gjetjeve të mëparshme të Panelit në lidhje me vlerësimin e rrezikut”, thotë prokuroria.

Sipas prokurorisë, vazhdimi i paraburgimit është mënyra e vetme për të menaxhuar rreziqet e paraqitura nga Mustafa.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme