ZRrE-ja aprovon tarifat e reja për energjinë

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 17:57 | Nga

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e mbajtur sot, me 31 mars 2017, ka
aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut
(OST) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Po ashtu, Bordi ka aprovuar Strukturën e re Tarifore për konsumatorët fundorë të energjisë elektrike.
Çmimet e Strukturës së re paraqesin çmime mesatare të tarifave të niveleve të tanishme (tarifat e
vitit 2016).

Vendimi për strukturën e re tarifore ka për qëllim që tarifat të jenë sa më të thjeshta për ti kuptuar,
për të gjithë konsumatorët, dhe të krijojë përshtatje të sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga
kërkesat ligjore për liberalizim të tregut. Përmes këtij thjeshtësimi, ZRRE synon të ju mundësojë
konsumatorëve që më lehtë të kontrollojnë konsumin e tyre dhe të mund të krahasojnë më mirë
çmimet që ju ofrohen nga furnizuesit e ndryshëm që pritet të hyjnë në treg.

Si rezultat i këtij ndryshimi të Strukturës tarifore të gjithë konsumatorët fundorë do të kenë një çmim
të pandryshuar në aspektin sezonal, për çdo kWh të shpenzuar. Përveç kësaj, konsumatorët familjar
nuk do të paguajnë më sipas blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit.

Me strukturën e re, tek të gjithë konsumatorët fundorë do të aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e
lartë dhe ulët (ditë- natë). Në këtë mënyrë do të ketë një nxitje për konsumatorët që të zhvendosin
një pjesë të konsumit nga koha e pikut (ditën) në kohën kur ngarkesa në sistem është më e ulët
(natën). Nga 1 prill deri 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë që aplikohet në mes të
orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h –
08:00h. Përderisa nga 1 tetori deri me 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe
tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h.

Në këtë mbledhje Bordi ka shqyrtuar komentet e OSSH në lidhje me njoftimin për shkelje, të datës 6
mars 2017, përmes të cilit OSSH është njoftuar me shkeljet e konstatuara nga monitorimi i
ndërprerjeve të planifikuara me qëllim të mirëmbajtjes së rrjetit. Bordi ka konstatuar se OSSH nuk ka
arritur të dëshmojë se të gjeturat nga monitorimi i ZRRE nuk janë të sakta dhe ka vendosur që duke u
bazuar në Rregullën për Masat Administrative dhe Gjobat të shqiptojë dënim me gjobë në vlerë prej
dyzet e pesë mijë (45.000) euro.

Si pjesë e amandamentimit të legjislacionit sekondar, për tu përshtatur me ligjet e reja të energjisë,
Bordi në mbledhjen e sotme ka aprovuar Rregullën për Masat Administrative dhe Gjobat; Rregullën
për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në sektorin e energjisë dhe Rregullën për shkyçje dhe
Rikyçje.

Gjithashtu Bordi ka aprovuar Planin zhvillimor të Operatorit të Transmetimit (KOSTT) për periudhën
2017 – 2026.

Sot Bordi ka aprovuar edhe Raportin Vjetor dhe atë Financiar për vitin 2016 të cilët po ashtu janë
dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme