Pas raportimeve në medie se janë rritur çmimet e energjisë elektrike ka reaguar edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
ZRrE ka mohuar të jenë rritur çmimet e energjisë. Rritjen e çmimit e ka mohuar edhe KEDS-i.
Komunikata e plotë:
Rregullatori për Energji sqaron të gjitha palët se lajmet e publikuara në disa portale të mediave për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk janë të vërteta dhe se këto çmime nuk kanë ndryshuar që nga viti 2014 për konsumatorët shtëpiak, përderisa për ata komercial në vitin 2016 janë zbritur për disa kategori të konsumatorëve deri ne 8% dhe për 5% në vitin 2018.
Edhe me vendimin e fundit të Bordit, për tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët e rregulluar, të marr me 17 prill 2020, është vendosur që tarifat të mbesin në fuqi si në strukturën tarifore. Përderisa tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të Transmetimit dhe rrjetit të Shpërndarjes ndryshojnë nga ato të viteve të kaluara, në përputhje me të Hyrat Maksimale të Lejuara (HML). Por këto ndryshime nuk kanë pasur asnjë ndikim në tarifat përfundimtare të konsumatorëve të rregulluar për periudhën rregullative 1 prill 2020 – 31 mars 2021.
Të gjitha vendimet dhe informatat për shqyrtimet e çmimeve të energjisë elektrike janë publike në faqen zyrtare të Rregullatorit ëëë.ero-ks.org. Prandaj Rregullatori ju bënë thirrje të gjitha mediave që para se të publikojnë lajme për ndryshim të çmimeve të energjisë elektrike të marrin sqarimet e duhura nga Rregullatori në mënyrë që të mos dezinformohen qytetarët.