Ministri i Mjedisit, në detyrë, Fatmir Matoshi, ka mohuar t’i ketë dhënë rekomandim ZRRE-së për legalizimin e operimit të tri hidrocentraleve në Deçan.
Matoshi, nëpërmjet telefonit, i ka thënë Kohavisionit se nuk e di se si ky institucion e ka marrë këtë vendim, raporton KTV.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, e shoqëria civile e quan skandal të radhës këtë vendim të institucioneve gjegjëse.
Edhe organizata “Era”, e cila e ka monitoruar punën e hidrocentraleve në këtë pjesë, ka thënë se është e çuditshme se si institucionet marrin vendime të tilla, në vend që të ndërmarrin masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes në Lumbardh.
“Siç e dini, HC Lumbardhi 2 ishte shkyçur nga rrjeti për shkak se ishte duke operuar ilegalisht, kurse tani, çuditërisht, kompania, sipas asaj që u tha në mbledhjen e ZRRE-së, e posedon certifikatën e përdorimit, por ende jo lejen mjedisore. Duke e parë gjendjen e lumit të Deçanit, për ne, vendimi për licencimin e 3 hidrocentraleve edhe për një vjet është skandaloz”, thuhet në përgjigjen e kësaj organizate.
Ndërsa, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë thonë se këto tri hidrocentrale, për të cilat është lëshuar licencë nga ky institucion, i kanë dorëzuar edhe certifikatat e përdorimit, të cilat kompanitë i kanë marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Tri hidrocentralet e lartpërmendura, po ashtu, tashmë i kanë dorëzuar në ZRRE edhe certifikatat e përdorimit, të cilat, ditëve të fundit, kompania i ka marrë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor”. Sa u përket lejeve mjedisore që kërkohen si pjesë e dokumentacionit për kapacitetet mbi 5 MW, nëse ndërmarrjet i plotësojnë të gjitha kushtet e kërkuara me Licencë, Bordi i Rregullatorit, në pajtim me Nenin 5 të Rregullës së Licencimit, lëshon licencë të përkohshme për periudhën prej dymbëdhjetë muajsh”, ka thënë Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Aty thuhet se ndërmarrja është e obliguar që brenda afatit prej 12 muajsh të sjellë në Rregullator Lejen Mjedisore të Integruar, të lëshuar nga MMPH-ja, ku pastaj, Bordi i Rregullatorit mund të lëshojë licencë me afat më të gjatë.