Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka paralajmëruar mundësinë e shtrenjtimit të energjisë elektrike, pas ngecjes së zgjerimit të mihjes së thëngjillit në Hade e Shipitullë, shkaku i kundërshtimit të disa banorëve.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal i Kuvendit të Kosovës është njoftuar nga ZRrE-ja rreth vështirësive me të cilat po ballafaqohet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në nxjerrjen e linjitit, si pasojë e mos zhvendosjes së shtëpive në fshatrat Shipitullë dhe Hade.
Arsim Janova, anëtar i Bordit të ZRrE-së, tha se KEDS është i detyruar të importojë energji me çmim të dyfishtë dhe kjo mund të sjellë rritje të lartë të tarifave.
“Ulja e prodhimit në KEK ka sjellë probleme edhe më të mëdha. Tash KEDS është i detyruar të importojë me çmim të dyfishtë dhe po sjell probleme për këtë sektor. Kjo do të na sjellë rritje bukur të lartë të tarifave për shkak të këtij vendimi. Andaj kërkoj nga Kuvendi, Qeveria që të ndërmarrin hapa”, tha Janova, raporton Ekonomia Online.
Komisioni parlamentar ka diskutuar dhe rreth vendimit të Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit të ZRrE-së (V-399-2012) që kostot e furnizimit me energji të veriut të mos iu faturohen konsumatorëve në pjesën tjetër të vendit.
“Më 30 tetor ka ardhur vendimi i Gjykatës së Apelit. E kemi informuar edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik me pasojat që mund të kemi me këtë vendim. Ne kemi kundërshtuar këtë vendim në gjykatë. Ndalja e rrymës atje është problem i madh pastaj”, tha Janova.
“Kemi marrë reagime nga KOSST-i dhe KEDS-i. Ulja e prodhimit në KEK ka sjellë probleme edhe më të mëdha. Tash KEDS është i detyruar të importojë me çmim të dyfishtë dhe po sjell probleme për këtë sektor. Kjo do të na sjellë rritje bukur të lartë të tarifave për shkak të këtij vendimi. Andaj kërkoj nga Kuvendi, Qeveria që të ndërmarrin hapa”.
Dardan Molliqaj deputet i LVV, e ka quajtur vjedhje pagesën e rrymës për veriun, ngase sipas tij janë humbur 8 milionë euro.
“Prej cilit vit ka filluar kjo pagesë sepse sipas informacioneve të mija janë rreth 8 miliomë euro. Shteti i Kosovës e ka marrë paret tona i ka ndihmuar si qytetarë që nuk e njohur Kosovën, i kanë punët më mirë se na e na si qytetarë nuk e kemi ditë”, tha Molliqaj.
Hykmete Bajrami deputete e LDK-së, ku ka thënë se nuk kemi nevojë me u kujdes për humbjet teknike të një kompanie private.
“Kam përshtypjen që ZrRE ja ka mbetur në formulat kur ka qenë ndërmarrje publike. I bëj thirrje qeverisë që me u shtri sovraniteti në veri dhe me fatura rrymën elektrike. Bëni publike kushtet e kontratës së privatizimit të KEDS-it”.
Bilall Sherifi, deputet i Nismës, ka pyetur nëse pagesa e veriut është humbje teknike apo ka pasur ndonjë shkelje të marrëveshjes.
Memli Krasniqi, nga PDK, ka pyetur sa është shumë që është paguar e 5 vitet e fundit.
Janova, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, duke saktësuar se pagesa është rreth 53 milionë për 7 vjet ose rreth 7-8 milionë në vit.
“Në vitin 2004 nuk ka pas rregullator, prej atij viti dmth prej vitit 2011 nëse përfshihet, që i bie 7 vite është 53 milionë euro, dmth për çdo vit është ndryshe një vit 6 milionë, në vitin 2016 ka qenë 8 milionë, në vitin 2017 deri tash nuk ka përfundu është 7 milionë, kjo është ajo pjesa që është pagu për veriun e Kosovës”, ka thënë ai.