ZRrE: Sivjet do ketë më pak rrymë vendore, propozojmë mos-rritje të çmimit për amvisëritë dhe bizneset e vogla

Prishtinë | 10 Pri 2026 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka propozuar që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal, ku hyjnë amvisëritë dhe bizneset e vogla që nuk kanë kaluar në treg të hapur.

“ZRrE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, tha u tha në njoftimin për media të kësaj zyre.

Në këtë njoftim u bë e ditur se parashihet që gjatë vitit 2026 të ketë rënie të prodhimit vendor të energjisë elektrike. Kjo për shkak se njësitë e Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B do t’i nënshtrohen ndërprerjeve të gjata për remonte kapitale.

Si pasojë, ZRrE thotë se sistemi energjetik i vendit pritet të mbështetet më shumë në import, gjë që do të rrisë kostot e furnizimit me energji elektrike.

“Si rezultat i reduktimit të prodhimit vendor gjatë kësaj periudhe, sistemi pritet të mbështetet në importe shtesë të energjisë elektrike, duke rritur përkohësisht kostot e furnizimit me shumicë për vitin 2026”, tha ZRrE në njoftim.

Për të shmangur ndikimin e menjëhershëm në faturat e qytetarëve, ZRrE tha se ka propozuar një mekanizëm që synon zbutjen e rritjes së tarifave.

“Për të shmangur ndikimin e menjëhershëm në tarifat e energjisë elektrike dhe për të ruajtur përballueshmërinë për konsumatorët, ZRRE ka propozuar një mekanizëm profilizimi të kostove në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore në fuqi. Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm”.

Megjithatë, ZRrE sqaron se kjo nuk nënkupton ulje reale të kostove.

“Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRrE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, tha ZRrE.

Raportet Konsultative paraqesin vetëm propozimet fillestare të ZRrE-së dhe do të shërbejnë si bazë për konsultim publik, përpara marrjes së vendimeve përfundimtare për të hyrat dhe tarifat.

Të ngjashme