Zukali thotë se disa shqiptarë janë nën rrënoja në Adana të Turqisë

Prishtinë | 06 Shk 2023 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës “Vatra” të Shqiptarëve në Stambol, Bora Zukali në një lidhje direkte nga Turqia ka konfirmuar se disa shqiptarë janë në mesin e mijëra qytetarëve të prekur nga tërmeti në atë shtet.

Në Tëvë1, Zukali tha se siç kanë njoftuar institucionet shtetërore, 1541 persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa 9733 të tjerë janë lënduar.

“Jam takuar me disa shqiptarë, sepse në atë zonë jetojnë shqiptarë nga Kosova, nga Çamëria dhe nga Sanxhaku. Jam takuar më kryetarin e Shoqatës së Shqiptarëve në Adana. Familja e tij nga ana e bashkëshortes jetojnë në Adana, dy pallate janë rrënuar dhe ata janë brenda pallatit. Ata janë shqiptarë me origjinë nga Sanxhaku”, u shpreh Zukali.

Ai më tej tha se rrugët janë dëmtuar shumë nga termeti dhe kjo ka pamundësuar që të shkohet nga zona tjera për të ndihmuar misionet e kërkimshpëtimit.

Zukali tha se të gjitha organizimit për ndihmë bëhen nga shteti turk dhe kushdo që do të ndihmojë duhet ta bëjë përmes rrugëve institucionale, apo përmes Gjysmëhënës së Kuqe.

Më shumë se 2.300 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.

Të ngjashme