Zulfaj pret në takim ambasadorin suedez në përfundim të mandatit, vlerëson mbështetjen e Suedisë për Kosovën

Prishtinë | 09 Kor 2026 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, në përfundim të misionit të tij diplomatik në Kosovë.

Gjatë takimit, Zulfaj e falënderoi ambasadorin Westerlund për kontributin në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Suedisë, duke theksuar se dy shtetet janë të lidhura nga vlera të përbashkëta dhe një miqësi e qëndrueshme.

“Kosova dhe Suedia janë të lidhura përmes vlerave të përbashkëta dhe miqësisë së qëndrueshme”, theksoi Zulfaj.

Në takim u vlerësua edhe mbështetja e vazhdueshme e Suedisë për Kosovën, si një prej partnerëve kryesorë në zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik të vendit, si dhe në procesin e integrimit evropian.

Zulfaj veçoi disa shembuj të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Themelimi i Odës Ekonomike Nordike, hapja e Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim nga Ericsson, si dhe prania e brendeve Lindex dhe Volvo janë shembuj konkretë të bashkëpunimit ekonomik që do të kontribuojnë edhe më tej në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh ai.

Gjatë bisedës u diskutua edhe vizita e fundit e Kryenegociatorit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë në Stokholm, ku ai kishte theksuar rëndësinë e avancimit të procesit integrues të Kosovës.

“Është me rëndësi që Kosova të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha Zulfaj.

Të ngjashme