Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbeten prioritetet kryesore të Kosovës, duke shprehur shpresën se gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së do të ketë lëvizje në këtë drejtim, raporton Ekonomia Online.
Duke iu përgjigjur pyetjes së mediave nëse Irlanda, si shtet mik i Kosovës, mund të ndikojë që aplikimi i Kosovës të trajtohet më me prioritet, Zulfaj tha se institucionet kosovare janë duke punuar që çështja e statusit kandidat të futet në agjendën e Bashkimit Evropian.
“Marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave janë prioriteti ynë kryesor. Ne kemi aplikuar për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit 2022 dhe po bëjmë përpjekje që, bashkë me presidencën e Irlandës dhe Komisionin Evropian, të hyjë në agjendën e Bashkimit Evropian statusi kandidat për Kosovën. Megjithatë, ky nuk është vendim që na takon neve, është një vendim që duhet ta marrë Bashkimi Evropian. Ne kemi plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret që kërkohen në një proces meritor për anëtarësim, si për marrjen e statusit kandidat, ashtu edhe për hapjen e negociatave,” deklaroi Zulfaj.
Ai theksoi se, sipas vlerësimeve të institucioneve të Kosovës, vendi është në pozitë më të favorshme sesa shtetet e tjera të rajonit në kohën kur ato kanë marrë statusin e kandidatit.
“Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë fituar statusin kandidat dhe kanë hapur negociatat, Kosova qëndron shumë më mirë në kohën e marrjes së këtyre vendimeve. Ne jemi demokracia më e avancuar e rajonit, qëndrojmë mirë në të gjithë indikatorët e matjes së sundimit të ligjit, po ashtu edhe në indikatorët e zhvillimit ekonomik, dhe kemi progres të vazhdueshëm në zbatimin e reformave në të gjithë 33 kapitujt e anëtarësimit”, u shpreh ai.
Zulfaj shtoi se Kosova do të vazhdojë përpjekjet për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së, duke shpresuar që presidenca irlandeze të kontribuojë në avancimin e procesit.
“Ne po e bëjmë punën tonë dhe sigurisht po bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë konsensus brenda Bashkimit Evropian për ta marrë statusin e vendit kandidat. Shpresojmë shumë që gjatë presidencës së Irlandës ky proces të intensifikohet edhe më shumë dhe çështja e Kosovës të marrë vëmendjen që meriton”, shtoi ai.
