Mediet janë të përfshira në Pakon Emergjente të miratuar nga Qeveria ditë më parë si ndihmë për tejkalimin e situatës së krijuar nga Coronavirusi. Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179 milionë euro.
Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se mediumet nëse kanë probleme financiare, do tu sigurohet një fond i likuiditetit për të paguar dhe për të tejkaluar këtë situatë.
Krasniqi ka sqaruar se mediet nuk janë përcaktuar si kategori e veçantë, por janë përfshirë në kuadër të shoqërive tregtare, krejt kjo në mënyrë që tu sigurohet mundësia e vazhdimit të aktiviteteve.
Sipas tij, pronarët duhet që të paraqesin problemet financiare në institucionet përgjegjëse në mënyrë që të përfitojnë nga Pako Emergjente.
“Të gjitha kompanitë që janë të përfshira në kuadër të shoqërive tregtare duke i përfshirë edhe mediumet, në rast se kanë probleme financiare ato janë të përfshira brenda masave të Qeverisë dhe atyre u sigurohet një fond i likuiditetit për të paguar dhe për të tejkaluar këtë situatë edhe mediumet edhe të gjithë sektorët e tjerë janë të përfshirë brenda kësaj pako, jo si pozicion i veçantë, por brenda një mase që e ka përcaktuar Qeveria edhe kompanitë mediatike mund të konkurrojnë në mënyrë që tu sigurohet mundësia e vazhdimit të aktivitetit duke i marrë këto fonde”.
Krasniqi ka thënë më tej se bizneset që kanë probleme me pagesat e punëtorëve, do të jenë pjesë e fondit për garantimin e kredive, ku Qeveria merr përsipër obligimet që kanë të bëjnë me pjesën e normave të interesit.
“Bizneset ndihmohen edhe përmes pagesave që ju bëhen punëtorëve të cilët për shkak të gjendjes nuk kanë mundur të marrin paga, këtyre ndërmarrjeve u mundësohet që në rast se kanë probleme me likuiditet të konkurrojnë dhe të jenë pjesë e fondit për garantim të kredive ku Qeveria i merr përsipër obligimet që kanë të bëjnë me pjesën e normave të interesit që ata është dashur të paguajnë dhe njëkohësisht u sigurohet një likuiditet që të mund të operojnë dhe të vazhdojnë me biznesin e vet”.
Zëvendësministri Krasniqi ka shtuar se ka kompani që kanë marrë kredi për tu dhënë pagat punëtorëve.
“Kemi kompani që kanë qenë shumë të përgjegjshme të cilat kanë qenë shumë të përgjegjshme ka rast që kompania ka marrë fonde edhe prej bankave që t’i kryej obligimet për punëmarrësit edhe pse ata nuk kanë punuar”.
“Në raste të tilla, në rast se kompania na siguron që i ka kryer pagesat ne do të bëjmë rimbursimin direkt te kompania për pagesat të cilat i ka kryer, në të kundërtën jemi të interesuar që mjetet me shku direkt te punëtorët, kështu që kompania duhet të siguroj listën e të punësuarave, listë e cila është edhe në ATK-ja dhe në Trust dhe nuk mund të futen punëtorë të ri dhe në listën që e sjell kompania dhe duke i sjell edhe xhirollogaritë direkt me shku fondet te përfituesit e fondit në mënyrë që të sigurohemi që mjetet po shkojnë direkt te punëtorët”.
Për punëtorët pa kontrata, ai tha se janë të interesuar të formalizojmë punësimin dhe se kompania nuk do të ketë pasoja ligjore.
Krasniqi tha se në rast se punëtorët e kanë humbur komplet vendin e punës atëherë duhet të lajmërohen në Entin për Punësim që të kompensohen.
“Punëtorët të cilët mund të jenë pa kontrata, ne jemi të interesuar që përmes këtij procesi edhe të formatizojmë punësimin, kompania nuk do të ketë pasoja ligjore është mirë që t’i përgatis listat dhe t’i formatizoj këta punëtorë, është mundësia”.
“Por në rast se punëtorët e kanë humbur komplet vendin e punës atëherë duhet të lajmërohen në Entin për Punësim dhe nëse nuk kanë asnjë burim të të hyrave ne do të ju kompensojmë gjithë këta punëtorë për shkak se kanë humbur vendet e punës”.
Ai me tej ka dhënë detaje se cilat kategori janë të përfshira në Pako, duke shtuar se edhe kategoritë sociale të cilat marrin më pak se 100 euro do të marrin një alokim shtesë.
“Përfshinë kryesisht kategoritë në rend të parë të cilat janë me gjendje më të vështirë financiare ose nuk kanë asnjë burim të të hyrave, këtu bëjnë pjesë të papunët, familjet që nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar, ata të cilët kanë humbur vendin e punës për shkak të situatës së krijuar, ata për të cilët nuk mund të marrin paga për shkak se aktiviteti ekonomik ka mund të jetë i ndërprerë. Këtu përfshihen edhe kategoritë sociale të cilat marrin më pak se 100 euro dhe ato kategoritë që i u është bërë një alokim shtesë”.
“Mbi këtë janë të planifikuar mjete edhe për të punësuarit të cilët janë direkt të atakuar prej, si mjekët policët shërbimi korrektues dhe sektori privat, ata që punojnë në furra, farmacitë dhe disa kategori të tjera edhe brenda sektorit publik dhe privat”.