Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu tha se pavarësisht kushteve klimatike që janë duke mbretëruar në Kosovë, gjendja e rrugëve është e mirë dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme.
“Sot pavarësisht kushteve që janë duke mbretëruar këto reshje bore në Republikën e Kosovës gjendja e rrugëve është e mirë të gjitha rrugët janë të qarkullueshme dhe ne do ti marrim masat që të mos kemi probleme me rrugët”.
Këto ai i bëri të ditura gjatë inspektimit të zgjerimit të hyrjes Veternik-Prishtinë, ku shtoi se pas përmirësimit të motit edhe punimet në këtë rrugë do të përfundojnë së shpejti.
Përkeqësimi i motit dhe reshjet e borës që janë duke mbretëruar sot në Kosovë kanë bërë që punimet për zgjerimin e hyrjes Veternik-Prishtinë të zvarriten.
Mirëpo, me përmirësimin e motit, sipas zëvendësministri të infrastrukturës, Rexhep Kadriu, punimet do të përfundohen shumë shpejt.
“…Shpresoj që me përmirësimin e kohës na kanë mbet edhe dy- tri ditë të përfundohet kjo punë kemi edhe murin mbrojtës i cili duhet të përfundoj priten edhe procedurat e zyrës së prokurimit të cilat do të lirojnë kompanie që të përfundoj sepse realisht kemi edhe trotuarin dhe staza e biçikletave në atë drejtim”.
“Por kem edhe problemin lart e cila është pompa e benzinës ku bashkërisht me komunën e Prishtinës jemi tu punuar që sa më shpejt, jemi të interesuar që edhe me Ministrinë e Ambientit ta shpronësojmë atë pjesë dhe të fillon rruga katër korsi edhe në atë drejtim”.