Banorë të Lagjes së Dëshmorëve në fshatin Ballofc të Podujevës vazhdojnë të jetojnë në objektet prej llamarine, ndërkohë që shtëpitë e ndërtuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të dedikuara për ta qëndrojnë të zbrazëta.
Ka më shumë se 1 vit prej kur janë përfunduar 10 shtëpi dhe 10 të tjera janë në përfundim e sipër, por deri tash Komuna e Podujevës, kompetencë e së cilës është përzgjedhja e familjeve përfituese, nuk e ka kryer punën e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i Komisionit për ndarjen e këtyre shtëpive, Agim Behluli, ka thënë se para dy muajsh është formuar Komisioni nga Kuvendi Komunal, por, sipas tij, deri para 10 ditësh MPMS-ja nuk e kishte dërguar anëtarin e saj në cilësinë e vëzhguesit.
“Janë 68 aplikacione që kanë konkurruar më herët për shtëpitë në Lagjen e Dëshmorëve. Ne i kemi vizituar të gjitha këto familje për të parë gjendjen e tyre. Para dy muajve është formuar Komisioni, por deri para 10 ditëve Ministria nuk e ka dërguar anëtarin e saj. Pasi ka mbetur deri tash pa u dhënë çelësat e 10 shtëpive që janë përfunduar më herët dhe tash janë në përfundim e sipër edhe 10 të tjera, po presim që t’i ndajmë të gjitha përnjëherë të 20-at”, ka thënë Agim Behluli.