Zvarritet ndërtimi i palestrës sportive, Komuna hesht

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Komunarët e Podujevës se kanë bërë asnjë hap për realizimin e projektit të palestrës sportive, që prej 22 nëntorit të vitit 2017.

Atëkohë, zyrtarët komunalë kishin shkuar për ta vënë gurin themeltar në hapësirën e ish-ndërmarrjes shoqërore “Fapol”, por këtë nuk e kishin lejuar privatizuesit e objekteve të ish-“Fapolit” “Jaha Company”, pasi prona është në kontest gjyqësor, shkruan sot Koha Ditore.

Zyrtarët komunalë janë pyetur për këtë zvarritje e për çështje të tjera për këtë projekt prej 10 dhjetorit, por ato kanë munguar edhe pas më shumë se dhjetë ditësh. Ndryshe nga tashti, në dhjetor të vitit të kaluar ata shpreheshin të vendosur për të filluar ndërtimin e kësaj palestre, pavarësisht kontestit pronësor.

Zëdhënësi Nazmi Elezi, atëkohë kërkonte nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që të hiqte dorë nga kjo pronë, për të cilën thoshte se është komunale.

Sipas tij, për ndërtimin e Palestrës së sporteve është hartuar projekti zbatues, janë zhvilluar procedurat e prokurimit, është përzgjedhur dhe është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për zbatimin e punimeve dhe se në ditët në vijim, në afatin sa më të shkurtër, do të vendoset guri themeltar për fillimin e punimeve. Këtë përgjigje ai e kishte dhënë rreth një muaj pasi kishte dështuar një herë vendosja e gurit themeltar të këtij objekti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme