Komunarët e Podujevës ende nuk kanë arritur ta funksionalizojnë Spitalin e përgjithshëm të këtij qyteti. Megjithëse ishte paraparë shumë më herët të fillonte dhënia e shërbimeve dytësore në këtë objekt, pos maternitetit, që ka funksionuar edhe më herët, asnjë shërbim tjetër nuk ofrohet.
Zyrtarët opozitarë e kanë akuzuar direkt kryetarin e Komunës, Agim Veliu, për mosfunksionalizimin e këtij spitali. Bile ata kanë thënë se Veliu kishte gënjyer kur kishte thënë se spitali kishte filluar punën në kohën kur ishte bartur Materniteti nga QKMF-ja në objektin e ri që është paraparë për spital.
Shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se Podujeva është një ndër komunat më të pazhvilluara për shkak të qeverisjes së dobët të LDK-së. “Disa herë e kam potencuar se Podujevës i mungojnë shumë sende, por elementi kryesor për njeriun është shëndeti, andaj mosofrimi i kujdesit shëndetësor nga ata që kanë përgjegjësi kur njeriu ka probleme me shëndetin s’ka asnjë arsye. Podujevës si një ndër komunat e mëdha për nga numri i banorëve rezidentë i mungon spitali edhe sot në fundvitin 2018”, është shprehur Rafet Llapashtica.