Edhe përkundër shtimit natyror prej 23,231 banorëve, popullsia që jeton në Kosovë është zvogëluar në vitin 2015, shkruan KosovaPost.net.
Këto të dhëna u publikuan në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) “Vlerësimi i Popullsisë së Kosovës 2015”. Sipas këtyre të dhënave popullsia që jeton në Kosovë për shkak të emigrimit theksuar në vitin 2015 u zvogëlua për 33,340 banorë.
Sipas ASK-së numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2015 është vlerësuar të jetë 74,434 banorë, ndërsa në këtë numër janë përfshirë të gjithë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.
Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), UNHCR, IOM dhe disa komunave, numri i të kthyerve apo riatdhesuarve në Kosovë gjatë vitit 2015 ishte gjithsej 18,862 banorë. Në këtë numër janë përfshirë imigrantët, numri i azilkërkuesve të Kosovës, si dhe leje qëndrimet më shumë se një vit nga qytetarët e vendeve tjera.
Duke krahasuar numrin e të riatdhesuarve me ata që emigruan, ASK-ja llogariti se bilanci i emigrimit për këtë vit ishte -55,572 persona.
Por, në Kosovë gjatë 2015-ës ndodhën 31,433 lindje, ndërsa numri i vdekjeve për këtë vit ishte 8,202.
Agjencia e Statistikave vlerësoi numrin e popullsisë për 2015-në duke u bazuar në numrin e vlerësuar të popullsisë rezidente në Kosovë në fund të vitit 2014, lindshmërinë, vdekshmërinë dhe lëvizjet e popullsisë se Kosovës për periudhën 01 janar deri me 31 dhjetor 2015.
Sipas ASK-së Kosova në vitin 2015 kishte 1,771,604 banorë.
Publikimi i ASK-së konstatoi se 8,972 banorë lëvizën nga komuna në komunë vitin e kaluar.