Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, kanë pasur një përplasje mes vete gjatë raportimit të ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.
Zyba ndonëse nuk është anëtar në këtë komision, kërkoi të marrë fjalën. Fillimisht tha se nuk pajtohet me deklarimet e deputetit të PDK-së e më pastaj e quajti “komunist”.
Kryetari i Komisionit, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ndërhyu duke i kërkuar Zybës ta ndalë mikrofonin.
Salih Zyba: Një person që komunizmin ka dëshirë me e përdorë në secilën të dytën fjalë, një ish-komunist, djali i komunistit, nuk e di çka po do ky ma shumë. S’mund të na bësh neve komunista me zor kur nuk kemi qenë. Po e citoj një autor: një komunist nuk mund të kthehet…
Hisen Berisha: Unë jam komunist sipas teje a? Ku e di ti kush jam unë? Kush të ka thënë ty me ndejtë në komision më së pari? T’i s’ke certifikatë me qenë në këtë komision. Edhe s’duhet me leju.
Salih Zyba: Ky sot vetëm i tërbuar tregohet këtu…
Hisen Berisha: A bën me qitë jashtë si shef i Komisionit, a e qes jashtë unë?
Salih Zyba: Jo unë e kam radhën me dalë vetë jashtë.
Hisen Berisha: Ti je rritë në Partinë Demokratike. Për korrupsion të kanë largu…
Bekë Berisha: Këqyre ti zotëri. Ndale mikrofonin. Ndale. S’bën kështu. Ndale mikrofonin bre Sali, mos më hajde këtu me kësi porosi. Nuk je pjesë e komisionit, s’ke me vetë ashtu… Nale edhe këpute.
Bekë Berisha tha se Zyba po fliste me porosi të partisë.