Në dorë mbante një kartelë që ishte identike me kartelat e bankës për nga materiali dhe formati.
Ajo nuk është kartelë e bankës, por për Lavdim Zylfiun ka vlerë të madhe.
Kartela që zotëron Zylfiu i mundëson atij që të ketë qasje tërë kohën në çdo fushë te golfit në botë.
Posedimi i kësaj kartele, me të cilën Zylfiu është pajisur kohë më parë, e bën atë të veçantë – golfistin e parë dhe të vetëm me vendbanim në Kosovë, që mund të futet në secilën fushë për të ushtruar sportin e tij.
“Kam qasje në çdo fushë të golfit në botë, përfshirë edhe fushat e presidentit amerikan Donald Trump. Këtë e kam ëndërruar për një kohë të gjatë dhe më në fund e realizova. Krejt mundi im ka filluar gradualisht të më shpërblehet”, thotë Zylfiu.