Nën kryesimin e Drejtorit Ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, sot u mbajt takimi i radhës i Zyrës së Komunitetit të Biznesit (ZKB).
Anëtarët e Zyrës së Komunitetit të Biznesit (ZKB) diskutuan lidhur me rëndësinë e fillimit të implementimit sa më të shpejtë të pakos fiskale 2.0, për masat e së cilës komuniteti i biznesit ka punuar mbi dy vite e gjysmë. Të gjithë pjesëmarrësit në takim njëzëri theksuan domosdoshmërinë e vazhdimit të proceseve të filluara dhe vendimeve të marra në të kaluarën, duke u zotuar që këtë kërkesë ta adresojnë bashkërisht tek Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, dhe Ministri i Financave, z. Bedri Hamza.
Gjithashtu të gjithë ndanë shqetësimin e ngritjes së pagave në sektorin publik, që u paralajmërua ditë më parë nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, për shkak se kjo ngritje do të ndikojë në orientimin e të rinjve drejt sektorit publik, e rrjedhimisht do të krijojë probleme me fuqinë punëtore ne sektorin privat.
Zyra e Komunitetit të Biznesit (ZKB) funksionon në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shërben për ta ngritur nivelin e dialogut ekonomik mes bizneseve, grupeve parlamentare por edhe vetë Qeverisë së Kosovës.
Duke u bazuar në sistemin e rotacionit për kryesim, Kryesuesi aktual Shpend Balija, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian ia dorëzoi mandatin e kryesimit të ZBK-së, Nora Hasanit, Drejtoreshë menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK). OEGJK do ta kryesojë këtë zyre për gjashtë muajt e ardhshëm.
Në takim ishin të pranishëm udhëheqësit e Shoqatës së Kontabilistëve të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Odës Tregtare Kosovaro Turke, Aleancës Kosovare të Bizneseve, Këshillit të Investitorëve Evropian, Shoqatës së Teknologjisë të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.