Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit pranohet në IAP me seli në Holandë

Prishtinë | 29 Tet 2016 | 15:58 | Nga

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pranuar njoftimin nga Këshilli Ekzekutiv i Asociacionit Ndërkombëtar të Prokurorëve (IAP), me seli në Holandë, se gjatë një raundi të konsultimeve të mbajtur rishtazi, ky asociacion ka miratuar kërkesën për anëtarësi organizative të pranuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës.

Në emër të Këshillit Ekzekutiv, sekretari i Përgjithshëm i IAP-së, Han Moraal, i ka shprehur mirëseardhje Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, si anëtare organizative në Asociacionin Ndërkombëtar të Prokurorëve, duke shprehur besimin se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe IAP-ja do të kenë marrëdhënie të mira, të frytshme dhe afatgjate bashkëpunimi, si dhe do të përfitojnë në mënyrë të ndërsjellë nga kjo lidhje.

“Një nga shumë përfitimet e anëtarësimit organizativ në këtë asociacion është qasja pa pagesë në faqet e internetit dhe rrjetet e IAP-së për Prokurorin e Shtetit. Personi kontaktues për IAP-në, i caktuar nga kyeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të jetë përgjegjës të promovoj njohuritë në lidhje me rrjetin IAP dhe projektet e aktivitetet e IAP-së tek prokurorët që punojnë në gjithë institucionin e Prokurorit të Shtetit, duke shpërndar lajmërime dhe publikimeve të IAP-së brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu kryeprokurori i Shtetit do t’i caktoj personat kontaktues për ndihmë juridike të ndërsjellë, për krimet kibernetike, për drejtësi penale ndërkombëtare, për krimet mizore dhe krimet kundër njerëzimit, për trafikimin me qenie njerëzore, për anti-terrorizmin, për anti-korrupsionin, si dhe për dhunën seksuale që ndërlidhet me konfliktin.

Pas këtij njoftimi, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në emër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka shprehur falënderim për Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë dhe misionin EULEX, të cilët janë angazhuar dhe kanë kontribuar që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e Republikës së Kosovës të pranohet anëtare e Asociacionit Ndërkombëtar të Prokurorëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme