Menaxhmenti i Komunës së Prizrenit deri më tani ka identifikuar mbi 40 raste të dyshimta të keqpërdorimeve nga pushteti i kaluar. Mirëpo për asnjërin prej tyre nuk ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Në vend të kësaj autoritetet komunale preferojnë informimin e Prokurorisë, si dhe njoftimin e publikut për gjetjet në drejtoritë e ndryshme të ekzekutivit lokal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Arsyeja për ndjekjen e kësaj praktike, sipas kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, ka të bëjë me kapacitetet e kufizuara të Zyrës Ligjore të Komunës së Prizrenit.
“Zyra Ligjore e Komunës së Prizrenit nuk ka kapacitet me u marrë me të gjitha këto raste. Nga Inspektorati jam njoftuar se janë 36 raste për Prokurori, në Drejtorinë e Administratës i kemi 6 raste. Ka raste të kësaj natyre edhe në drejtoritë e tjera dhe do t’i adresojmë të gjitha. Ne po e shënojmë rastin dhe po i numërojmë arsyet pse duhet Prokuroria me i shikua këto raste. Deri më tani janë 42 raste dhe gjasat janë që ky numër të shtohet dhe si Komunë s’po kemi kapacitet me u marrë me të gjitha rastet”, ka thënë Haskuka.
Sipas tij, Komuna i disponon të gjitha materialet dhe është e hapur për shikimin e tyre nga hetuesit në bazë të autorizimeve të Prokurorisë. “Do të kërkojmë përgjegjësi për keqpërdorimet në Komunë”, ka shtuar ai.