Bayern Munich ka rënë në ujdi me RB Leipzig për një shumë prej 25 milionë eurove për ta liruar Julian Nagelsmannin t’i bashkohet bavarezëve në verë.
Julian Nagelsmann do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare si trajner i Bayern Munich, pasi RB Leipzig u pajtua ta lirojë atë na detyra e trajnerit të ekipit të parë për 25 milionë euro plus bonuse.
Kjo marrëveshje e bën Nagelsmannin transferin më të shtrenjtë në historinë e trajnerëve në Bundesligë.
Gazeta gjermane Bild raportoi mëngjesin e sotëm se Nagelsmanni dhe Bayerni janë pajtuar për një marrëveshje bashkëpunimi me kohëzgjatje deri në vitin 2026.
33-vjeçari do ta marrë drejtimin e skuadrës së Bayernit më 1 korrik 2021.
Ai do ta pasojë trajnerin Hansi Flick, i cili muajin e kaluar njoftoi se do të largohej nga Bayerni në përfundim të këtij sezoni.
Megjithëse vetëm 33 vjeç, Nagelsmanni i ka pesë vjet si trajner në Bundesligë, pasi fillimisht e udhëhoqi Hoffenheimin.
Në moshën 28-vjeçare, ai ishte trajneri më i ri në historinë e Bundesligës dhe udhëhoqi skuadrën nga një vend në zonën e rënies nga liga, në një vend në zonën e Ligës së Kampionëve.
Pas tri vjetëve, ai e mori drejtimin e Leipzig dhe u dërgoi atë në gjysmëfinale të Ligë së Kampionëve në sezonin 2019/20, ku u mposht nga Paris Saint-Germain.