Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka organizuar aksion humanitar për dhurimin e gjakut nga zyrtarët e AKP-së, për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.
Veton Hajdini , Shef i njësisë për marrëdhënie me publikun, në AKP, ka thënë se ky institucion këtë aksion po e bënë për katër vjet radhazi.
“ Ky është viti i katërt me radhë që stafi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), organizon aksionin e solidarizimit me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe me aksionin “Dhuro Gjak, Shpëto një jetë”. Për çdo vit aksioni ka përgjigje të madhe nga stafi i AKP-së dhe ka shënuar ngritje të vazhdueshme të dhuruesve vullnetarë të gjakut”, ka thënë Hajdini, raporton Ekonomia Online.
E, Fadil Mahmuti, menaxher i marketingut, në Transfuzionin e gjakut, ka thënë organizime të tilla bëhen edhe me institucione tjera.
Sipas tij, i vetmi qëllim është që të sigurohet gjak për të gjithë të sëmurit dhe lënduarit që shërohen anë e mbarë Kosovës.
“ Për herën e katër kemi organizuar aksionin për grumbullimin e gjakut nga dhënësit vullnetarë të AKP-së. Këto aksione i organizojmë edhe me organizata tjera punuese duke përfshirë edhe shkollat e mesme, fakultete dhe organizatat më të mëdha. Në këto aksione tona gjak dhurojnë edhe policia dhe FSK-ja. I vetmi qëllim i yni është që të sigurojmë gjak për të gjithë të sëmurit dhe lënduarit që shërohen anë e mbarë Kosovës”, ka thënë Mahmuti , raporton Ekonomia Online.