U.d. e Kryeshefit të IPK-së, Miradije Kelmendi, me disa zyrtarë të Inspektoratit realizuan dje në Tiranë një takim të përbashkët me Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Anila Trimi dhe drejtues të tjerë në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Zyrtarët e IPK-së dhe të SHÇBA-së gjatë këtij takimi u pajtuan për të miratuar një protokoll të përbashkët pune dhe të kryejnë inspektime të përbashkëta në njësitë e patrullimit të përbashkëta policore, për të siguruar një shërbim policor sa më të përgjegjshëm e transparent ndaj qytetarëve.
Gjatë takimit në mes zyrtarëve të agjencive homologe u diskutua edhe për shkëmbimin e eksperiencave për hetime pro-aktive dhe shkëmbimin e praktikave më të mira hetimore.
Inspektorati Policor i Kosovës gjatë këtij takimi përveç tjerash shfaqi interes për procesin e Veting-ut, të ndërmarrë nga Ministria e Brendshme, objekt i të cilit janë Policia, ShÇBA dhe Garda, me fokus promovimin e pjesës së shëndoshë së këtyre strukturave.