Shefi i stafit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, Blerim Sallahu ka deklaruar se LVV’ja nga Gjykata Kushtetuese ka kërkuar vetëm që të vlerësojë kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit për mandatarin.
Sallahu përmes Facebook’ut ka shkruar se LVV’ja nga Gjykata Kushtetuese nuk ka kërkuar interpretimin e krijimit të qeverisë pas votimit të sukseseshëm të mocionit të mosbesimit.
“Këtë duhet dalluar, sepse kërkesa derivon nga vullneti i 30 deputeteve, e jo nga zyra e Presidentit, i cili jo rrallë ka parashtruar pyetje kushtetuese. Ne, nuk kemi kërkuar qartësim të procedurave të krijimit të qeverisë, sikurse mund të bëheshin më herët me pyetje kushtetuese, por kemi kontestuar dekretin jokushtetues të Presidentit. Kësisoj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kërkesës së saj, ka kontestuar vetëm dhe vetëm kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit të Kosovës”, ka thënë ai.
Sallahu ka thënë se në këtë kuptim, Kushtetuesja nuk duhet të vlerësojë asgjë më shumë se sa kushtetueshmërinë e dekretit të presidentit.
“Ajo nuk mund të dal jashtë pretendimeve tona në lidhje me kontestimin e këtij dekreti. Prandaj, çdo vlerësim i Gjykatës Kushtetuese i cili përveç vlerësimit të kushtetutshmërisë së dekretit, shtron edhe rrugë për krijimin e qeverisë së re, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se tejkalim i mandatit të saj kushtetues, për të gjetur një zgjidhje antikushtetuese”, ka thënë ai