Zyrtarët japin dorëheqje në Liban, pas protestave te dhunshme

Prishtinë | 09 Gus 2020 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Informimit e Libanit, Manal Abdel-Samad, dha dorëheqje të dielën gjersa shteti po përballet me krizë të ndezur edhe më shumë pas shpërthimit shkatërrues i cili e shkundi kryeqytetin dhe rriti mllefin e popullit në nivele të reja.

Kjo dorëheqje erdhi pas natës së demonstratave kundër elitës në pushtet, që po akuzohet për keqmenaxhim kronik dhe korrupsion, për çka edhe besohet se ndodhi ky shpërthim në portin e Bejrutit. Me qindra tone të materialit eksploziv ishin lënë në një depo afër portit, dhe shpërthimi vrau së paku 160 njerëz, lëndoi 6,000 dhe shkatërroi me qindra ndërtesa, shkruan AP.

Manal Abdel-Samad tha në letrën e saj të dorëheqjes se ndryshimi ishte iluzion, dhe se me keqardhje ka dështuar në përmbushjen e aspiratave të popullit libanez.

Dorëheqja e saj erdh në të njëjtën kohë kur me dhjetëra ligjvënës ofruan dorëheqjen si protestë ndaj qeverisë. Mediat lokale raportuan se edhe një ministër tjetër, dhe një këshilltar i afërt i kryeministrit Hassan Diab, do të japin dorëheqje gjithashtu. Diab u takua me kabinetin për të diskutuar dorëheqjet të dielën, por nuk kishte komente pas takimit.

Në këtë shtet ku lufta civile zgjati 15 vite, pak njerëz janë mbajtur përgjegjës dhe shumica e krerëve të luftës tani janë në fuqi, transmeton KOHA.

Kjo katastrofë ndezi protesta të dhunshme të shtunën ku protestuesit varën litarë nëpër qendrën e Bejrutit. Ata mbanin pamflete me slogane “Dorëheqje ose litar”. Protestat u bënë të dhunshme kur demonstruesit filluan të hedhin gurë drejtë forcave të sigurisë, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Një polic u vra dhe shumë njerëz u lënduan gjatë përleshjeve që zgjatën me orë.

Protestuesit gjithashtu iu turrën edhe ministrive të ndryshme. Ata shkurt e zaptuan edhe Ministrinë e Jashtme, duke thënë se do të jetë qendra e lëvizjes së tyre. Në ministritë e Energjetikës dhe Ekonomisë, protestuesit shkatërruan zyrat dhe i murrën dokumentet publike duke thënë se do të zbulojnë se si korrupsioni e ka shkatërruar shtetin.

Pesë nga 128 anëtarë të parlamentit gjithashtu kanë lajmëruar dorëheqjen që nga e shtuna,

Në një fjalim në televizionin kombëtar të shtunën, Diab tha se e vetmja zgjidhje ishin zgjedhjet e parakohshme. I bëri thirrje partive politike që të lënë anash mosmarrëveshjet dhe tha se do të rrinte në post për dy muaj deri sa politikanët të punojnë mbi reformat politike. Por, kjo për popullin libanez nuk duket e mjaftueshme. Libani që nga vitet e 90-ta është duke kaluar në shumë kriza dhe luftëra civile, të shkaktuar nga korrupsioni.

Të ngjashme