Drejtori Gjeneral i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, tha se Kosovës i mbesin edhe dy kushte për t’i plotësuar në mënyrë që të qytetarët e saj të lëvizin pa viza në zonën Schengen, raporton Ekonomia Online.
Danielsson tha se janë plotësuar 95 përqind të kritereve, por që ka përmendur edhe dy të tjera të mbetura.
“Për çështjen e vizave ne duam të shohim çështjen të zgjidhur. Është çështje e të dy palëve. Jemi të lumtur nëse gjendet zgjidhje. Zgjidhja e çështjes Kosove-Serbi po lehtësohet nga Mogherini. Jemi të lumtur me punën e presidentit, kryeministrit dhe kryenegociatorit. Janë edhe dy kushte. Një është demarkimi i kufirit me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit. Në këtë luftë është shënuar progres. Kur të plotësohen këto mund të ecim”.
Ai ka garantuar se do të punojnë me institucionet në Kosovë që proceset të çohen para. Danielsson foli edhe për strategjinë re të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Është një vizitë e cila vjen një javë pas strategjisë për Ballkanin Perëndimor. Janë disa detaje që janë të qarta për punën që duhet ti kryej Kosova. Ato lidhen me ekonominë dhe pajtimin. Kemi pas një diskutim të mirë. Është e rëndësishme të dimë që këto reforma janë të vështira, kur flasim për masat kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që qeveria të punojë dhe Kuvendi të përfshihet”.
Ai tha se strategjia thotë se nuk mund të ketë progres për Serbinë pa implementimin të marrëveshjeve me Kosovën.
“Kjo strategji është për të gjithë rajonin, përshkruan rrugën evropiane për të gjithë, edhe për Kosovën. Askush nuk mund të ecë përpara nëse nuk ka pajtim. Strategjia thotë se nuk mund të ketë progres për Serbinë pa implementimin të marrëveshjeve të arritura për normalizim”.
Se këto kushte do të përmbushen u zotua kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se perspektiva e Kosovës drejtë BE-së është e pakthyeshme.
Edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se institucionet janë të përkushtuar për të kryer obligimet e tona, siç është MSA.
“Kemi përkrahje edhe nga kryeministri. Jemi pajtuar me kryeministrin që të kemi konsensus”.