Zyrtari i Komunës së Vitisë dhe dy të tjerët sërish mohojnë fajësinë për keqpërdorim pozite dhe mashtrim në detyrë

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Menaxheri për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, Florim Ramaj dhe drejtori i konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, Valdet Xoxa, pas kthimit të rastit në rigjykim, sërish kanë mohuar fajësinë për keqpërdorim pozite.

Në këtë rast, për mashtrim në detyrë po akuzohet edhe pronari i kompanisë “Ylli Dekor”, Sami Mjaku, i cili po ashtu është deklaruar i pafajshëm në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Florim Ramaj, në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë dhe Valdet Xoxa, drejtor i konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, ashtu që kanë firmosur raportet të cilat i kishte përpiluar i akuzuari Xoxa, me të cilat e kishin obliguar komunën që të kryente pagesën në shumë prej 63.350.00 euro, ndaj operatorit teknik “Ylli Dekor & Vizion BD”, ende pa i përfunduar punimet.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se Ramaj dhe Xoxa i kishin mundësuar të akuzuarit  Sami Mjaku, pronarit të kompanisë “Ylli Dekor & Vizion BD” përfitim të kundërligjshëm në vlerë prej 5.011.23 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Kadriu, të akuzuarit Ramaj, Xoxa dhe Mjaku kanë mohuar fajësinë për veprat penale me të cilat i ngarkon akti akuzues.

Përfaqësuesi i të dëmtuarës, Ibrahim Ramadani, deklaroi se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, me arsyetimin se komuna si palë konsideron se nuk është dëmtuar dhe se po ashtu, mbi këtë bazë ajo nuk ushtron kërkesë pasurore-juridike.

Prokurori Kadiru, përfaqësuesi Ramadani, mbrojtësi i të akuzuarit Ramaj, avokati Bardhosh Dalipi, i caktuar sipas detyrës zyrtare, mbrojtësja e të akuzuarit Xoxa, avokatja Abulona Syla, dhe mbrojtësja tjetër e të akuzuarit Mjaku, avokatja Blerina Dërmaku, e caktuar po ashtu sipas detyrës zyrtare, si dhe të akuzuarit, kanë deklaruar se mbeten pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të 26 shtatorit 2018, lidhur me këtë çështje juridiko-penale.

Seanca e së hënës, ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit të ndërtimtarisë, Rexhep Sylejmani, i cili ka thënë se mbetet pranë raportit të tij të ekspertizës lidhur me këtë çështje penale.

Ai ka thënë se kanë konstatuar se punët e kryera dhe pagesat që janë bërë për ato punë, dhe se raporti në mes punëve të kryera dhe pagesave, sipas tij, kanë konstatuar se pagesa janë bërë më tepër, por edhe ka pasur ndryshime në punime, ashtu që në ndonjë rrugë ka pasur më tepër ndriçim, e në ndonjë më pak.

“Punët e kryera në raport me ditarin ndërtimor nuk përputhen, si dhe ditari ndërtimor nuk përputhet me dinamikën e pagesave. Në ditarin ndërtimor përshkruhet çdo punë e kryer brenda ditës, të cilin e përpilon punëkryesi dhe këtë ditar e nënshkruan mbikëqyrësi dhe punëkryesi. Dhe në rastin konkret, nënshkrimi në këtë libër ndërtimor ka qenë i Valdet Xoxës”, ka thënë eksperti Sylejmani.

Sipas tij, menaxheri i komunës, në këtë rast Florim Ramaj nuk e ka obligim të dal në terren dhe të kontrollojë çdo punë, sepse ka pasur kompani kontraktuese nga komuna për mbikëqyrje.

“Cilësinë e punimeve e bënë një laborator për kualitetin e materialit, varësisht siç janë të kontraktuara. Vet punishtet i kemi gjetur mbi bazën e kontakteve që kemi pasur me ta akuzuarit pasi nuk ka pasur projekt për këtë gjë. Në bazë të vendimit për ekspertin të dhënë nga prokuroria kemi pasur të bëjmë vlerësimin e punimeve ashtu siç jemi obliguar”, deklaroi eksperti.

Eksperti Sylejmani, ka thënë se për rrugët specifike dhe për kohën kur është hartuar ekspertiza ka pasur dëme Komuna e Vitisë.

“Zëvendësime a lejohen prej një rruge në rrugën tjetër që të barazohen nga komuna nuk e di, por për këto rrugë që janë të cekura ka pasur dëme, e zëvendësimet qysh i bënë komuna, nuk e di”, ka thënë eksperti i ndërtimtarisë, Rexhep Sylejmani.

Lidhur me këtë rast, i ftuar për të dëshmuar ishte dëshmitari Idriz Mehmeti, inspektor i ndërtimit në Komunën e Vitisë, i cili ka deklaruar se mbetet pranë deklaratës së 31 janarit 2019, dhe po ashtu edhe mbrojtësit e të akuzuarve, si dhe të akuzuarit, kanë thënë se të gjitha përgjigjet relevante nga dëshmitari i kanë marrë paraprakisht nga ai, dhe se nuk kanë pyetje shtesë për të.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Agim Ademi, se a është kryer ndonjë pagesë përpara se të kryhen punimet, dëshmitari Mehmeti ka thënë se nuk e din, sepse ata si komision komunal për pranim teknik të punimeve nuk merren me mënyrën e pagesave, dhe rregullsinë e këtyre pagesave, por se merren me mënyrën se si janë kryer punimet.

Prokurori Kadriu, në vazhdim të seancës, ka propozuar që të lexohet deklarata e ekspertit financiar Riza Blakaj, të dhënë në seancën e kaluar të shqyrtimit gjyqësor, të cilin propozim nuk e kundërshtuan as mbrojtësit e të akuzuarve, e që më pas këtë e aprovoi trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Agim Ademi.

Gjykatësi Agim Ademi, seancën tjetër lidhur me këtë rast e ka caktuar më 9 janar 2020, në ora 13:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 10 maj 2019, i kishte liruar nga akuza menaxherin për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, Florim Ramaj dhe drejtorin e konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, Valdet Xoxa, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga akuza ishte liruar edhe pronari i kompanisë “Ylli Dekor”, me seli në Viti, Sami Mjaku, i akuzuar për “mashtrim në detyrë”.

Aktgjykimin ndaj tyre ishte shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi, i cili kishte thënë se gjykata nuk kishte gjetur prova se ata i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, më 30 shtator 2019, kishte aprovuar ankesën e prokurorisë, dhe këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i Themelores përfshinë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 paragrafi 1, nënparagrafi 1.12 të KPPK-së, ngase aktgjykimi nuk është përpiliuar në pajtim me nenin 370 të KPPK-së, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me brendinë e tij, me arsyetimin si dhe faktet vendimtare dhe me përmbajtjen e provave materiale të administruara si në shkresat e lëndës, si dhe me deklaratat e dëshmitarëve, andaj edhe si i tillë është i paqëndrueshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 nëntor të vitit 2017, i akuzuari Florim Ramaj në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, për rregullimin e trotuareve dhe ndriçimin publik, në bashkëkryerje me të akuzuarin Valdet Xoxa, drejtor i konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, më 8 qershor të vitit 2016, kishin keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, duke shkelur detyrat e tyre të domosdoshme dhe kontratën për mbikëqyrjen profesionale.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, edhe pse e kishin ditur se punët nuk ishin kryer, me qellim që të akuzuarit Sami Mjaku, t’i mundësojnë përfitim të kundërligjshëm, kishin firmosur raportet të cilat i kishte përpiluar i akuzuari Xoxa, me të cilat e kishin obliguar komunën që të kryente pagesën në shumë prej 63.350.00 euro, ndaj operatorit teknik “Ylli Dekor & Vizion BD”, ende pa i përfunduar punimet.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i kishin mundësuar të akuzuarit Mjaku përfitim të kundërligjshëm në vlerë prej 5.011.23 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë.

Ndërkaq, i akuzuari Sami Mjaku, në cilësinë e pronarit të kompanisë “Ylli Dekor”, me seli në Viti, kishte bërë prezantim të rremë duke përpiluar fatura fiktive, njërën në shumë prej 50.000.00 euro, njërën 53.328.00 euro, njërën në shumën prej 48.814.00 euro, njërën në shumën prej 6.526.00 euro, si dhe shumën prej 11.010.00.

Ndërsa, prej këtyre shumave, 66.350.00 euro i kishte marrë kinse i ka kryer punimet, mirëpo, i njëjti i kishte faturuar pa përfunduar punimet, duke i shkaktuar Komunës së Vitisë, dëm material në shumën prej 5,011.23 euro.

Prokuroria të akuzuarit Ramaj dhe Xoxa i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarin Mjaku me veprën penale “mashtrim në detyrë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme