Zyrtari i LDK-së: Duhet ndarje programore me partitë e majta populiste që të garantohet rikthimi i madh

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i LDK-së, Florian Dushi thotë se kjo parti nuk guxon të mbetet peng i kompleksit nga rezultati i dobët në zgjedhjet e fundit.

Ai kërkon hapje të partisë ndaj ardhjeve të reja dhe komunikim me strukturat lokale.

Dushi thotë se LDK-së duhet t’i garantohet rikthimi i madh duke triumfuar me besim e vendosmëri mbi populizmin e majtë dhe mashtrimin.

Postimi i tij i plotë:

 Lidhja Demokratike e Kosovës nuk guxon të bëhet peng i kompleksit eventual nga rezultati i dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe as të veprojë e vendosë në këtë frymë.
LDK si parti me histori, traditë e vizion të qartë për zhvillimin dhe integrimin e vendit, pavarësisht rezultatit të fundit në zgjedhje, nuk guxon të ndihet inferiore përballë euforisë populiste që në këto zgjedhje e kishte kapluar, mjerisht, vendin tonë.
LDK duhet të vazhdojë të marrë përgjegjësi dhe të luajë rolin e saj serioz në tema me peshë për vendin dhe qytetarin, por jo të marrë përgjegjësinë e atyre që “kishin zgjidhje për gjithçka” e nuk pajtoheshin kurrë me asgjë dhe me askend!
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, patjetër duhet të fillojë një proces të hapjes, jo vetëm për ardhje të reja, por hapje e për komunikim direkt me strukturat e saj lokale, me veprimtarët dhe anëtarësinë e saj besnike e qëndrestare. Sepse, vendimet e LDK-së duhet të reflektojnë dhe të ndikohen, padyshim, nga mendimet dhe qëndrimet e anëtarësisë dhe votuesve të saj të vërtetë, dhe jo nga mashtruesit që defilojnë nëpër rrjete sociale, të cilët votojnë “X” partinë, ndërsa LDK-në e mësojnë se kush duhet udhëhequr me te dhe si duhet vepruar e vendosur ajo!
Uniteti, bashkëveprimi, fryma e sinqertë ekipore, synimet dhe platforma e qartë, besimi, ndërtimi i vijave të qarta ndarëse programore me partitë e majta populiste, ruajtja e frymës nacional-demokratike e properëndimore, ndërkaq, do t’i garantojnë LDK-së rikthimin e saj të madh duke triumfuar me besim e vendosmëri mbi populizmin dhe mashtrimin.
Bashkë për Fitore ✌

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme