Presidenti Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit Bakir Burri dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, ka pritur në selinë e tij shefin e Divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-s, Thierry Favre, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, raporton EkonomiaOnline.
Pas takimit të dy së bashku dolën në konferencë për media ku edhe treguan temat e diskutimit.
Presidenti i FFK-së Agim Ademi, tha se biseduan për projektet e realizuara deri më tani si dhe për projektet që e presin në të ardhmen FFK-në në partneritet me UEFA-n.
“Është kënaqësi të presim njeriun e UEFA-s, shefin divizonit. Për të parë rrjedhën në federatë, përfundimin e ligës dhe projektet në vazhdimësi. Krahas kësaj ka ardhur me i pa edhe projektet zhvillimore të FFK-së që janë në proces të realizimit. Ne ishim gjithashtu në teren”, ka përfunduar Ademi.
Ndërsa shefi i divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-s, Thierry Favre, tha se është i lumtur që është në Kosovë.
“Jam i lumtur që jam këtu sërish, vizita ishte fantastike ashtu si në shtator. Kemi lajme të mira, e para takimit tonë në mëngjes ne shikuam qendrën e trajnimeve në Obiliq, që është diçka e mirë dhe shpresoj që të fillojmë në dhjetor. Më vjen keq për gjeneratën e re këtu sepse dy vite kanë humbur në këtë projekt. ”, tha ai.
Kreu i FFK-së u pyet për projektin “kampi stërvitor” që pritet të realizohet në Obiliq, e për të cilin tha se nuk kanë asnjë problem pronësor dhe se shumë shpejt do të fillojnë punimet.
“Nuk ka pas probleme me pronën s’kanë mundë të na jep pronën drejtpërdrejt por është dashur që fillimisht ajo pjese t’i i jepet Ministrisë pastaj neve”, tha ai.