Zyrtari policor nga Peja rrah gruan, IPK e arreston dhe suspendon

Prishtinë | 10 Tet 2020 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. Zyrtari policor është arrestuar nën dyshimet se ka rrahur bashkëshorten e tij.

“IPK ka pranuar sot informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Pejë ka kryer veprën penale dhunë në familje e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton Express.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar të dyshuarin (zyrtarin policor) si dhe viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij të cilës i është ofruar edhe ndihma mjekësore”, shton njoftimi.

I njëjti është lënë në ndalim për 48 orë.

“Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, sqaron komunikata.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme