Zyrtarizimi i Marrëveshjes së Ohrit, i “pamundur deri në fund të janarit”

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Është joreale të pritet zyrtarizimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të janarit 2024, thonë Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Kosova, dhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Një gjë e tillë u paralajmërua nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai tha se është në pritje të përgjigjes nga Kosova për këtë çështje, së cilës i janë ofruar “disa opsione”.

Prishtina zyrtare këmbëngul që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, të nënshkruhet – gjë të cilën Beogradi zyrtar e refuzon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u dakorduan gojarisht për të në muajin shkurt, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj arritën pajtim në mars.

BE-ja thotë se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët edhe pa nënshkrim.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen se çfarë do të thotë “zyrtarizimi” i marrëveshjes, që përmendet nga Lajçaku, dhe çfarë opsionesh i janë ofruar Kosovës për “zyrtarizimin” e saj.

Në vend të përgjigjes, nga Qeveria e Kosovës përcollën një postim të Kurtit në Facebook, përmes të cilit ai ofroi nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë në Samitin e Këshillit Evropian, që do të mbahet më 21 dhe 22 mars të vitit 2024.

Pse është i nevojshëm zyrtarizimi?

Edhe pse kaluan dhjetë muaj nga pranimi i Marrëveshjes së Ohrit, rezultate konkrete në zbatimin e saj nuk ka.

Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi i mohuan përgjegjësitë për moszbatim.

Muhaxhiri beson se Kurti dhe Vuçiq, pasi ranë dakord për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, u angazhuan në “pjesën populiste të punës”.

“Ata deshën ta transformonin dhe ridizajnonin më pas aneksin sipas nevojave të tyre të brendshme, dhe kjo e prishi ekuilibrin dhe planin në tërësi. Prandaj, është bërë e nevojshme tani që të gjithë t’i kthehen zyrtarizimit të asaj që është rënë dakord në Ohër”, thotë Muhaxhiri.

Sipas Janjiqit, si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, thjesht, po “blejnë kohë” dhe asnjëra palë nuk dëshiron që marrëveshja të zbatohet.

“Ky [zyrtarizimi] nuk është real, sepse po vijnë zgjedhjet për Parlamentin dhe institucionet evropiane. Nuk pres ndonjë dialog [deri në fund të janarit]”, thotë ai.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u ndërlikuan edhe më shumë pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh atje sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd.

Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin./REL


Të ngjashme