​Kryeprokurori i Shtetit dhe Shefi i EULEX-it flasin për sundimin e ligjit

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, Lars-Gunnar Wigemark.

Procesi i ndryshimeve legjislative, reformat institucionale, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës si dhe diskutimi i çështjeve tjera me interes të përbashkët ishin në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shefit të EULEX-it.

Me këtë rast, Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Shefin e misionit të EULEX-it lidhur me qëndrimet institucionale për këto procese, adresimet që dalin nga rishikimi funksional për sundim të ligjit, sfidat institucionale si dhe angazhimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprave tjera penale.

Në këtë kontekst, palët vlerësuan progresin e arritur në fushën e sundimit të ligjit, veçmas në shënjëstrimin e rasteve të reja, me ç’rast u theksua nevoja për një dinamizëm më të shtuar në pasqyrimin real të këtij progresi.

Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë për ta avancuar punën e prokurorisë.

Të dy bashkëbiseduesit e kanë vlerësuar këtë takim mjaftë të dobishme dhe produktiv si dhe shprehen gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen.

Të ngjashme