Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë ka thënë se kjo është një ditë krenarie dhe emocioni, që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri profesional për kadetët, raporton Ekonomia Online.
“Sot jemi të nderuar në praninë tuaj. Është një ditë e veçantë, ditë krenarie, emocionesh dhe gëzimi. Ditë që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën profesionale e personale. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim”, tha Hoti.
Ai ka theksuar se kadetët kanë kaluar një proces gjashtëmujor të përgatitjes, i cili ka përfshirë mësime, ushtrime dhe sfida të ndryshme.
“Jemi mbledhur për të ndërtuar përkushtim, sakrificë, disiplinë, vullnet të një gjenerate që ka zgjedhur rrugën me përgjegjësi të madhe, rrugën e shërbimit ndaj qytetarit dhe vendit. Rruga deri në këtë ditë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Pas çdo suksesi që festojmë sot, qëndrojnë orë të shumta mësimi, ushtrimi, sfida, përpjekje dhe momente ku ndoshta lodhja ka qenë e madhe, por vullneti për të vazhduar ka qenë edhe më i madh. Ju keni kaluar një proces 6-mujor që ju ka përgatitur”, potencoi ai.