Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekës miraton rendin e ditës, mbledhja me dyer të mbyllura

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, është duke mbajtur mbledhje, raporton Ekonomia Online.

Pasi ka miratuar rendin e ditës së mbledhjes ka mbyllur dyert për media.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani tha se për pjesën e planit të punës të diskutohet pa kamera.

“Por dijeni se, për rendin e ditës edhe të kërkoj në kuptimin e komisionit që pasi ta kalojmë miratimin për rendin e ditës, dëgjojmë ndonjë  diskutim të përgjithshëm nëse e vlerësoni, e pjesën tjetër ta mbyllim për media, në mënyrë që të fokusohemi në planin e punës, planin e veprimit edhe pjesën tjetër të miratimit të buxhetit e pastaj secili është i lirë të vlerësojë, nëse dëshiron t’u drejtohet mediave pas takimit”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka kërkuar që të zgjatet afati për angazhimin e tre ekspertëve.

“E para për rendin e ditës, në mbledhjen e kaluar morëm një vendim për angazhimin e tre ekspertëve të fushave, përkatësisht të tri fushave, të cilat bien në domenin e fushëveprimtarisë së komisionit hetimor dhe sot mbyllet afati. Propozoj që në fakt ta zgjasim deri të hënën. Unë sot nuk po shoh ndonjë lloj zyrtari dhe nuk e di nëse ka pasur ndonjë procedim apo aplikim, por deri mbrëmë nuk pashë që të ketë pasur të paktën mjaftueshëm. Nëse jeni dakord që të presim deri të hënën në orën 16:00, ndërkohë kuvendi mund të përsërisë njoftimin për konkursin, sepse ashtu jemi në fazat e hartimit së planit të punës, dhe puna reale fillon nga java e ardhshme. Gjithmonë, nëse jeni dakord që të presim, do të marrim një vendim, prandaj thashë ta kalojmë te faza e parë dhe nëse jemi dakord, të vazhdojmë,” tha Rrustemi.

Kurse, deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ngriti çështjen e raporteve që komisioni kishte kërkuar deri të mërkurën, më 4 nëntor.

 Ajo tha se raportet ende nuk i ishin dorëzuar komisionit.

Kabashi-Ramaj kërkoi që komisioni të evidentojë zyrtarisht institucionet që nuk kanë raportuar, t’u kërkojë menjëherë sqarime me shkrim dhe të caktojë një afat të ri, të shkurtër, për dorëzimin e raporteve.

“Afatet që vendos ky Komision duhet të respektohen. Pa dokumentacion dhe bashkëpunim institucional, nuk mund të zhvillojmë hetim efektiv”, tha deputetja.

Deputetja propozoi gjithashtu angazhimin e ekspertëve të pavarur dhe një kalendar orientues 120-ditor për punën e komisionit, me përgjegjësi të qarta dhe rekomandime të matshme.

Të ngjashme