Në një konferencë për media Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar raportin analitik lidhur me planifikimin dhe organizimin e punës së Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online. Hulumtuesja Violeta Haxholli ka dresuar kritika ndaj legjislativit duke thënë se problemet për Kuvendin po vazhdojnë.
“Muaji i parë i punës së Legjislaturës së XI-të nuk nisi me një organizim të mirëfilltë dhe me një dinamikë të qartë të punës parlamentare. Përkundrazi, problemet dhe sfidat që e kanë përcjellë Kuvendin ndër vite po vazhdojnë të shfaqen edhe në këtë legjislaturë. Vlerësimi ynë është se Kuvendi po zhvillon aktivitetet e tij pa një planifikim të përbashkët dhe pa koordinimin e nevojshëm ndërmjet organeve parlamentare. Kjo po krijon mbivendosje, ngarkesë të pabarabartë dhe vështirësi në organizimin e punës”, tha ajo.
Sipas saj, gjetja kryesore e raportit është se Kuvendi ende nuk ka miratuar në seancë një Plan të Përgjithshëm të Punës për sesionin vjeshtor, ndonëse një detyrim i tillë përcaktohet me Rregulloren e Punës së Kuvendit, konkretisht me nenin 19, paragrafin 2.2.
“Ky plan nuk duhet të jetë thjesht një dokument që i mbledh në një vend planet individuale të komisioneve. Ai duhet të shërbejë si një instrument i përbashkët për përcaktimin e prioriteteve, koordinimin e aktiviteteve, ndarjen e përgjegjësive dhe përcjelljen e rezultateve të punës së Kuvendit. Gjatë hartimit të tij duhet të harmonizohen aktivitetet e Kryesisë, seancave plenare dhe komisioneve, duke pasur parasysh volumin e punës, afatet dhe kapacitetet në dispozicion”, shtoi ajo.
“Në këtë proces, Kuvendi duhet të shfrytëzojë edhe mundësitë që ofron teknologjia. Një sistem i integruar digjital, me kalendarë të përbashkët dhe tabela monitorimi, do të mundësonte planifikim më të mirë, përcjellje të afateve dhe matje të rezultateve. Po ashtu, digjitalizimi i dokumenteve, arkivave dhe materialeve hulumtuese do ta lehtësonte punën e deputetëve dhe administratës. Pra, bëhet fjalë për një mënyrë tjetër të organizimit të punës, jo vetëm për hartimin e një dokumenti formal”.
Sipas saj, një problem tjetër që ka identifikuar është se planifikimi i punës së Kuvendit dhe i komisioneve diktohet kryesisht nga Programi Legjislativ i Qeverisë dhe se komisionet vazhdojnë të planifikojnë punën duke u bazuar pothuajse tërësisht në projektligjet që Qeveria parasheh t’i procedojë.
“Në planet e tyre ka pak iniciativa të reja ligjore që burojnë nga vetë deputetët apo komisionet, ndërsa mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe e institucioneve nuk zë vendin që duhet ta ketë.Nga 14 planet e komisioneve që kemi analizuar, vetëm pesë parashohin aktivitete për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Kjo është veçanërisht shqetësuese në një vend ku zbatimi i ligjeve mbetet një ndër sfidat kryesore. Kuvendi nuk duhet të jetë vetëm vendi ku shqyrtohen dhe miratohen projektligjet e propozuara nga Qeveria. Ai duhet të ushtrojë edhe rolin e vet proaktiv ligjvënës dhe mbikëqyrës”, theksoi ajo.
“Ndërkohë, para se komisionet të arrinin të konsolidonin përbërjen e tyre, të përcaktonin fushëveprimin dhe të përfundonin planet e punës, ato u përballën me një numër të konsiderueshëm projektligjesh nga Qeveria. Programi Legjislativ për periudhën tetor–dhjetor parasheh procedimin e 52 projektligjeve dhe 13 marrëveshjeve ndërkombëtare. Vetëm për muajin tetor ishin planifikuar 30 prej këtyre nismave”.
Sipas saj, kjo dinamikë ka krijuar presion mbi komisionet që në fillim të punës së tyre dhe se një shembull konkret është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke kufizuar hapësirën për shqyrtim të detajuar.
“Madje, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, më 15 tetor, e shtyu diskutimin për fushëveprimin dhe planin e vet të punës, por në të njëjtën mbledhje u detyrua të shqyrtonte projektligje me rëndësi të madhe. Ky është një shembull se si ritmi i procedimit të projektligjeve po përcakton agjendën e komisioneve, edhe para se ato të kenë përfunduar organizimin e brendshëm”.
“Një tjetër problem që vazhdon të mbetet i pazgjidhur është moskompletimi i përbërjes së komisioneve parlamentare. Deri në fund të tetorit, emërimi i të gjithë anëtarëve nuk ishte përmbyllur, për shkak se propozimet për përfaqësuesit e Listës Serbe nuk morën mbështetjen e nevojshme. Kjo ka cenuar përfaqësimin e këtij subjekti në komisione dhe, rrjedhimisht, mundësinë e përfaqësuesve të komunitetit serb për të marrë pjesë në përcaktimin e prioriteteve dhe në vendimmarrjen e këtyre organeve. Përbërja e plotë e komisioneve është e domosdoshme si për funksionimin e tyre, ashtu edhe për gjithëpërfshirjen e procesit parlamentar”.
“Problemet e organizimit vërehen edhe në mënyrën se si janë shpërndarë deputetët në komisione. Të dhënat tona tregojnë se 10 deputetë nuk janë anëtarë të asnjë komisioni parlamentar, ndërsa disa deputetë të tjerë janë anëtarë në tri apo edhe katër komisione njëkohësisht. Në mesin e deputetëve që nuk janë caktuar në komisione janë edhe kryetarët e tri partive politike. Kjo shpërndarje krijon një pabarazi të dukshme në angazhimin parlamentar”.
