Në kuadër të Takimit të 11-të Konsultativ të Nivelit të Lartë, me temën “Qëndrueshmëria financiare e agjendës për barazi gjinore – drejt një planifikimi të mbështetjes së organizatave të grave”, është diskutuar për përgjegjësinë institucionale, financimin e organizatave të grave dhe nevojën për një qasje më të qëndrueshme në avancimin e barazisë gjinore.
Shefja e stafit të Kryeministrit, Flora Macula, ka kërkuar reflektim dhe përgjegjësi të përbashkët për punën e bërë ndër vite në adresimin e pabarazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave. Ajo ka theksuar se pas shumë vitesh angazhim të aktivisteve dhe institucioneve, është e nevojshme të analizohet se ku është gabuar dhe çfarë duhet bërë më tutje.
“Çfarë kemi bërë gjithë këto vjet? Unë 30 vjet, ju secila mbi 25 që punoni si aktiviste. Ku kemi gabuar? Secili e kemi pasur rolin në këtë, për ta ndryshuar këtë shoqëri. Nuk po them ti ke faj apo ti ke faj. Të gjithë ne kemi një rol. Të gjithë ne që ndikojmë në jetën e të tjerëve duhet të marrim përgjegjësi. Unë e para, a kam bërë mjaftueshëm? Kështu që, mendoj se duhet të ndalemi, të planifikojmë dhe ta ndërtojmë këtë trekëndësh: t’i përfshijmë aktivistët, edhe ata që ia kanë shtruar rrugën këtij angazhimi, si dhe të ndihmojmë Qeverinë dhe Kuvendin, ku po krijohet Këshilli, për të hartuar një plan se si t’i adresojmë problemet, ku kemi qenë dhe ku nuk e kemi bërë punën mirë, përfshirë edhe punën me dhunuesit, pasi në tërë rajonin ka qendra që punojnë me ta”, ka thënë Macula.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se agjenda e barazisë gjinore nuk duhet të varet nga financimi i jashtëm, por duhet të jetë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve dhe shoqërisë.
Duke iu referuar rasteve të fundit të dhunës ndaj grave, ajo ka kërkuar më shumë vetëkritikë dhe reflektim për përgjegjësinë kolektive, përfshirë edhe mënyrën se si shoqëria i trajton gratë dhe vajzat.
“Rastet që kemi parë në Pejë dhe ai për të cilin nuk po dëgjojmë mjaftueshëm në Gjilan tregojnë se jemi shumë afër një situate ku askush, në asnjë pozicion, nuk e ndjen peshën e përgjegjësisë për atë që ka ndodhur. Na duhet të jemi shumë më vetëkritikë dhe të shqyrtojmë secila çfarë kemi bërë gabim gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo më sjell te pyetja: nëse nuk ka financim nga organizatat ndërkombëtare, çfarë bëjmë ne si institucione? Unë besoj se agjenda e barazisë nuk është më një agjendë që duhet të trajtohet si financim nga jashtë. Ose duam të kemi shoqëri të barabartë, ose nuk duam. Nëse gjejmë aleatë dhe kërkojmë mbështetje, ata bëhen pjesë e ndihmës sonë.
Rënia e fondeve është fakt, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe për shkak të prioriteteve të tjera të vendeve të zhvilluara që kanë ndihmuar organizatat multilaterale. Por, ky është një moment kritik në të cilin duhet ta kuptojmë se barazia është vetë esenca e funksionimit tonë si shoqëri. Vajzat dhe djemtë duhet të jenë të barabartë, me të drejta dhe qasje të barabarta, pa u diskutuar më nëse dikush duhet të ketë mundësi vetëm pse është vajzë. Duhet ta shohim edhe rolin tonë si gra dhe vajza. Në tërë diskursin publik nuk po flitet për vjehrrën e Arlindës, për nënën e djalit që u vra nga boba dhe për beben e vogël që i është lënë bobës, me probleme të shëndetit mendor. Kjo tregon se problemin nuk e kemi vetëm në rrugë, por e kemi kultivuar, ruajtur dhe mbajtur edhe brenda shoqërisë sonë. Nuk dua ta shpërndaj fajin apo ta rëndoj dikë, por nëse duam ta trajtojmë këtë problem siç duhet, duhet të shohim mënyrën se si i trajtojmë vajzat e tjera, shoqet, koleget, suksesin e njëra-tjetrës, stafin dhe bashkëpunimin mes nesh. Në rastin e Arlindës, në shtëpinë e saj kanë hyrë dy të rritur, kunati dhe vjehrra, pa vullnetin e saj. Të dy kanë bërë të njëjtën shkelje. Edhe ne kemi përgjegjësi për mënyrën se si sillemi, si veprojmë, çfarë vendimesh marrim dhe si i edukojmë e i rrisim djemtë tanë që t’i trajtojnë vajzat e tjera. Me këtë dua të ndërlidhem edhe me punën dhe organizimin e ministrisë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Nga perspektiva e Ministrisë së Financave, sekretari i kësaj ministrie ka thënë se synimi është që i gjithë buxheti i Kosovës të monitorohet për të vlerësuar nëse po përmbush objektivat e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Ai ka theksuar se mundësitë për mbështetjen e organizatave joqeveritare ekzistojnë përmes thirrjeve publike, ndërsa ka përmendur edhe disa nga skemat mbështetëse të financuara nga buxheti i shtetit.
“Edhe vërtetë që kuptoj zemërimin e përbashkët edhe unë mendoj që nashta edhe ish mund me u bë më shumë, unë besoj që kemi bë shumë si shtet i ri, pavarësisht në disa gjëra që mund mos me u pajtute te disa pjesë tek fundit, por nga perspektiva e Ministrisë së Financave, mundësia për të ndarë linjat buxhetore të specifikuara pak a shumë, nuk është ky qëllimi. Qëllimi është që të gjithë 4.3 miliardë euro të buxhetit të Republikës të monitorohen se a janë, e kanë arritur qëllimin e një buxhetimi përgjegjës gjinor edhe bashkë me ED-në e Kryeministrisë edhe Agjencinë ne mundohemi që të gjitha mjetet e taksapaguesve të arrijnë qëllimet e veta. Edhe kështu është e ndërtuar edhe sot me ligj Kosova”.
“Ndërsa mundësitë për të përkrahur OJQ-të ekzistojnë edhe sot përmes financimit, përmes thirrjes publike, por në kontekstin e Ministrisë së Financave ne, sidomos tash që jemi ndarë me punën dhe mirëqenien sociale të atëhershme, e jona është t’i financojmë axhendat edhe objektivat që i përcaktojnë ministritë e linjës. Edhe përgjithësisht ne e kemi arritur qëllimit për sa kemi pasur mundësi buxhetore. E përmendi zonja Macula që në kohën kur kemi qenë bashkë në MFT, ne kemi arritur te 1.25 milionë shtresimorët. Ndërsa nuk është shumë ndihmë drejtpërdrejtë e grave, por kemi arritur që me financuar 400.000 fëmijë në llogaritë e nënave, kemi arritur lehona që mos me u ni keq kur janë pa punë. Edhe të gjitha këto mjete mendojmë që janë pjesë të gjithë buxhetit të Kosovës, e cila duhet çdo ditë e më shumë të arrijë qëllimin që të monitorohen se a qoftë të gjitha janë shpërndarë për të arritur qëllimin e përbashkët të barazisë.”
Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth, ka tërhequr vëmendjen për rrezikun që paraqet mungesa e financimit për organizatat e grave, duke theksuar se ato po përballen me rritje të kërkesave për ndihmë, veçanërisht nga gratë që përjetojnë situata emergjente.
“Çka afrojnë organizatat e grave? Çka do të ndodhë nëse nuk ekzistojnë? Cili është një risk shumë i madh për vitet e ardhshme për shumë organizata? Ndodh që nuk kemi ndihmë ligjore për gratë kur kanë një emergjencë. Po, kemi ndihmën ligjore të shtetit, për gratë, për gratë e kështu me radhë, sepse nuk e dimë nëse afrojnë si duhet. Kush po thirren? Organizatat e grave. Edhe tash, Kejla edhe Evita e dinë, kemi më shumë thirrje, sepse më shumë gratë kanë frikë për çka kanë ndodhur, edhe kemi dy-tre herë më shumë, na kontaktojnë, na kërkojnë ndihmë, por nuk kemi resurse, mirëpo po provojmë”, u shpreh ajo.
