Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e përfundoi vitin 2018 me më shumë gola të shënuar brenda vitit kalendarik sesa ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo. Megjithatë, të dy u mposhtën nga golashënuesi më i mirë i vitit, Baghdad Bounedjah.
Që nga viti 2008, emri i gdhendur në Këpucën e Artë të Evropës ka qenë ose Messi ose Ronaldo. Por ashtu siç përfundoi dominimi i kësaj dyshe në Topin e Artë, ashtu ndodhi edhe për trofe, transmeton Gazeta Express.
Për momentin, Messi, i cili e ka fituar pesë herë Këpucën e Artë, një më shumë se Ronaldo, është në pozitën e tretë, vetëm një pikë larg lojtarit në pozitën e dytë, Lilius. Ky i fundit luan në ligën e Estonisë për Nomme Kaljun.
Niveli i ndryshëm i ligave bën që për çdo gol të shënuar, Liliu e fiton vetëm një pikë në këtë garë, ndërsa Messi dhe Ronaldo i fitojnë nga dy pikë për çdo gol pasi që ligat ku luajnë këta dy të fundit vlerësohen si më të vështira.
Ndërsa, në vendin e parë të është sulmuesi algjerian, Baghdad Bounedjah, i cili luan në Katar për Al Sadd. Ai ka arritur t’i shënojë plot 59 gola brenda 12 muajve. Bounedjah luan së bashku me ish-mesfushorin e Barcelonës, Xavin, dhe ish-mesfushorin e Atletico Madridit, Gabin, të cilët i ndihmojnë për të krijuar më shumë raste.