​Pas lajmeve për zënkat me Ozilin, Emery e pranon se i pëlqejnë mosmarrëveshjet me lojtarët

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, e ka zbuluar se ai tenton të krijojë mosmarrëveshje të vogla me lojtarët e tij, pasi që beson se këto mosmarrëveshje mund të ndikojnë që ata ta japin maksimumin e tyre.

Kjo deklaratë e Emerys vjen pas lajmeve të shumta për zënka me mesfushorin Mesut Ozil, i cili nuk ka luajtur në asnjë nga katër ndeshjet e fundit të Arsenalit. Këtë mungesë të gjermanit me origjinë turke, Emery e kishte arsyetuar duke thënë se ai i kishte zgjedhur lojtarët më të mirë për ndeshjet që kishin, transmeton Gazeta Express.

Minutat e pakta në të cilat është aktivizuar Ozilin e kanë lënë këtë të fundit të pakënaqur. Mirëpo, edhe vet Arsenali është i gatshëm ta shesë atë gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që i nevojiten më shumë para për të blerë lojtarë të tjerë.

Marrëdhënia mes Emerys dhe Ozilit nuk ka qenë asnjëherë shumë e mirë, që kur strategu spanjoll u emërua në pozitën që para tij e mbante Arsene Wenger. Ozil kishte munguar në ndeshjen kundër West Hamit në gusht, pasi që raportohej se këta të dy ishin përleshur në stërvitje, por Emery kishte thënë se Ozil ishte i sëmurë.

“Në raste të caktuara, duhet të provokosh mosmarrëveshje me futbollistët. Nga ato mosmarrëveshje, ti mund të marrësh diçka më shumë nga ta, një lloj ambicie më të madhe ose madje edhe një ankesë, një ankesë që mund të ndikojë pozitivisht te ekipi”, ka thënë Emery.

“Si trajner, duhet të jesh i kujdesshëm pasi që nganjëherë këto mosmarrëveshje mund ta prishin plotësisht ndonjë marrëdhënie. Por, unë besoj se gjithmonë duhet të kërkosh më shumë , si në aspektin individual, ashtu edhe kolektiv, përmes bisedave që janë të rehatshme dhe atyre që janë më pak të rehatshme”.

“Në fund të fundit, gjëja kryesore për çdo futbollist është që cilësitë e tij të përdoren në të mirë të ekipit. Si trajner, duhet ta marrësh më të mirën nga ai lojtar, por në të njëjtën kohë të sigurohesh se ai përshtatet me ekipin në mënyrë që e gjithë skuadra të përmirësohet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme