Ozili kërkon unitet nga Arsenali, para përballjes me Liverpoolin

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Mesut Ozili u ka kërkuar bashkëlojtarëve dhe tifozëve të Arsenalit të qëndrojnë të bashkuar para përballjes të së mërkurës me Liverpoolin, në kuadër të Carabao Cup.

Mesfushori gjerman me origjinë turke ka qenë temë debati për tifozët e Arsenalit në Emirates që një kohë të gjatë. Disa prej tyre besojnë se talenti i Mesut Ozilit është shumë i nevojshëm për skuadrën e disa e kritikojnë futbollistin për etikën e tij të punës në fushën e lojës.

Trajneri aktual Unai Emery, gjatë javëve të fundit, ka qenë në mesin e atyre që s’janë tifozë të mëdhenj të Ozilit, pasi që ky i fundit ka mbetur vazhdimisht jashtë formacionit të Arsenalit për ndeshjet.

Ndërkohë, Ozili nuk ka qenë i vetmi person që ka shkaktuar telashe në Emirates. Së fundi, kapiteni Granit Xhaka u fishkëllye nga tifozët kur po zëvendësohej gjatë barazimit 2:2 kundër Crystal Palace, të dielën.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare iu përgjigj tifozëve që po i fishkëllenin duke i sharë dhe duke e zhveshur fanellën, të cilën e gjuajti në tokë gjatë kohës sa po shkonte drejt tunelit për t’u larguar nga fusha.

Emery nuk duket se dëshiron që Arsenali t’i japë ndonjë ndëshkim të madh Xhakës, përkundër që ky i fundit nuk kërkoi falje menjëherë për veprimet e tij dhe kjo i zemëroi edhe më shumë tifozët.

E gjitha kjo situatë në Arsenal ka bërë që Ozili të ketë më shumë gjasa të luajë në mesfushën e Arsenalit për përballjen kundër Liverpoolit të mërkurën.

“Ndeshje e madhe përpara nesh. Pavarësisht gjithçkaje – mënyra e vetme është që të qëndrojmë të bashkuar si një”, shkroi 31-vjeçari në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Instagram.

Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme