Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së Lloyd Austin arriti sot për një vizitë të paparalajmëruar në Afganistan, e para që nga marrja e detyrës.
Austin arriti në Kabul nga India, në një kohë kur tema kryesore është data e tërheqjes së ushtarëve amerikanë nga Afganistani.
Sipas Washington Post, Austin tha në Kabul se zyrtarët e lartë amerikanë duan të shohin një “fund të përgjegjshëm të konfliktit” në Afganistan dhe një “kalim drejt diçka tjetër”.
“Gjithmonë do të ketë shqetësime për gjëra të caktuara, por unë mendoj se shumë energji është përqendruar në punën për të bërë atë që është e nevojshme për të arritur një fund të përgjegjshëm dhe për të zgjidhur konfliktin përmes negociatave,” tha Austin.
Presidenti i SHBA-së Joseph Biden tha këtë javë se do të jetë e vështirë për Shtetet e Bashkuara të përmbushin afatin e fundit për tërheqjen e trupave nga Afganistani, i cili skadon më 1 maj.
Biden shtoi se një zgjatje e mundshme e këtij afati nuk do të nënkuptojë një periudhë “dukshëm më të gjatë” për largimin e ushtarëve.
Afati u përcaktua nga një marrëveshje midis administratës së paraardhësit të Biden, Donald Trump dhe kryengritësve talebanë afganë.
Pas deklaratës së Biden, talibanët u përgjigjën se qëndrimi i ushtarëve amerikanë në Afganistan pas 1 majit do të ishte një “shkelje e marrëveshjes” dhe paralajmëroi se “do të ketë reagime” nëse Shtetet e Bashkuara nuk e përmbushin afatin e fundit.
Austin u takua sot me zyrtarët më të lartë të Afganistanit, përfshirë presidentin Ashraf Ghani.
Kabineti i Ghanit tha se të dy zyrtarët dënuan rritjen e dhunës në Afganistan, por nuk thanë nëse takimi diskutoi 1 majin si afatin e fundit për tërheqjen e trupave amerikane.
Uashingtoni aktualisht po vlerëson marrëveshjen që administrata Trump nënshkroi me talibanët vitin e kaluar dhe po bën presion mbi qeverinë dhe rebelët për të gjetur një mënyrë të shpejtë për një marrëveshje paqeje.
Në një letër të mprehtë për Ghani, kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, deklaroi kohët e fundit se paqja duhet të vendoset urgjentisht në Afganistan dhe shtoi se të gjitha opsionet janë ende në tryezë.
Blinken gjithashtu paralajmëroi se ishte e mundshme që talibanët të merrnin shpejt kontrollin e zonave të caktuara në rast të tërheqjes së trupave të SHBA-së dhe NATO-s.
Shtetet e Bashkuara alokojnë katër miliardë dollarë në vit për të ndihmuar forcat e sigurisë afgane.