​Themelohet komisioni i etikës profesionale veterinare

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Oda e Veterinarëve të Kosovës ka ngritur një komision të etikës profesionale veterinare.

Këtë vendim në mënyrë unanime OVK e morri në një mbledhje të anëtarëve të kryesisë së saj duke u bazuar në statutin e saj dhe rregulloren e punës.

Sipas vendimit Komisioni i Etikes së Profesionit Veterinar, do të jetë i paanshëm, profesional, i përfaqësuar nga Oda Veterinare e Kosovës (OVK), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Fakulteti i Bujqësie dhe Veterinarisë (FBV) dhe KSAVA.

Komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë: Driton Zeqri (KOVK), Kryetar, dhe katër anëtarë Hyzri Ymeri (OVK), Dardan Pozhegu (OVK, KSAVA), Driton Çaushi (FBV) dhe Bafti Murati (AUV).

Sipas një komunikate të OVK, Komisioni do t’i trajtoj të gjitha ankesat e drejtuara në OVK apo/dhe AUV nga: mjekët veterinerë në terren, inspektorët veterinar lokal apo regjional si dhe OJQ-ja “Fondacioni për të drejtat e kafshëve”, lidhur me keqtrajtimin e qenve endacak nga veterinarët e përfshirë apo jo në projektin ‘Menaxhimi dhe Kontrolli i Qenve Endacak’, qoftë kjo për shkak të paaftësisë për ta kryer punën profesionalisht, apo me qellim abuzimi dhe përfitimi material apo shantazhi të kolegëve.

“Qëllimi i këtij komisioni është që të mbroj: profesionistët veterinerë, profesionin veteriner, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve si dhe paranë publike nga abuzuesit potencial”, thuhet në vendim.

Pas vlerësimit profesional, të pavarur dhe të pandikuar, komisioni do t’i rekomandoj AUV-së, përmes OVK-së (rekomandimet duhet të bëhen me shkrim siç është cekur në rregulloren e Punës së OVK-së), për masat që duhet të merren ndaj veterinerëve të cilët abuzojnë apo bëjnë shkelje gjatë realizimit të projektit.

Të ngjashme